Obiliqi, Fushë-Kosova dhe Lagja Kalabria, pa ujë prej dy ditësh, KRU “Prishtina” vazhdon me njoftime kontradiktore

Që nga orët e vona të së enjtes, banorët e Fushë-Kosovës, Obiliqit dhe lagjes Kalabria në Prishtinë po përballen me mungesë të plotë të ujit të pijshëm, pa një afat të qartë për rikthimin e furnizimit.

Fillimisht, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” kishte njoftuar të premten se uji do të rikthehej nga ora 17:00, por kjo nuk ndodhi. Pavarësisht kësaj, dhe ndonëse furnizimi vazhdon të mungojë prej afro dy ditësh, kompania ka dalë sot me një tjetër njoftim për “reduktime” të ujit nga ora 12:00 deri në 17:00 — një formulim që bie ndesh me realitetin në terren, ku qytetarët raportojnë mungesë totale të ujit.

Në njoftimin e fundit, KRU “Prishtina” arsyeton situatën me një rrëshqitje dheu në lokacionin Shkabaj, e cila ka dëmtuar gypin kryesor furnizues të ITU Shkabaj.

Sipas kompanisë, për shkak të këtij dëmtimi do të ketë reduktime në Fushë-Kosovë, Obiliq dhe lagjen Kalabria, ndërsa ndikime mund të ketë edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit.

Megjithatë, mungesa e transparencës dhe mospërputhjet në njoftime po rrisin pakënaqësinë e qytetarëve, të cilët tashmë po përballen me mungesë të një shërbimi bazik jetik, pa informim të saktë dhe pa një afat konkret për zgjidhjen e problemit.

Ndërkohë, kompania ka bërë të ditur se ekipet teknike ndodhen në terren dhe po punojnë për sanimin e dëmtimit, pa dhënë detaje shtesë mbi kohën kur pritet normalizimi i furnizimit. /Zëri