Influencërët nën lupën e ATK-së, nis fushata për deklarimin e të ardhurave

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka nisur zyrtarisht një kampanjë për informimin dhe edukimin tatimor të influencërve, me fokus në obligimet që ata kanë ndaj shtetit nga aktivitetet që zhvillojnë në platformat digjitale.

Drejtori i Përgjithshëm i Administrata Tatimore e Kosovës, Mentor Hyseni, ka theksuar se kjo nismë synon rritjen e vetëdijes dhe forcimin e bashkëpunimit me këtë kategori të re të tatimpaguesve, e cila po merr gjithnjë e më shumë rëndësi në ekonominë moderne.

Në kuadër të kësaj fushate është organizuar edhe një aktivitet informues, ku kanë marrë pjesë një grup influencërsh, me qëllim që të njoftohen më nga afër me mënyrat e deklarimit të saktë dhe të rregullt të të ardhurave të tyre.

Sipas ATK-së, përmes kësaj kampanje synohet të ofrohet mbështetje e drejtpërdrejtë dhe informim i qartë për influencërët, duke kontribuar në rritjen e transparencës financiare dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi./Zëri