Berisha: Jemi shpresa e vetme për shpëtimin e Shqipërisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në protestën që u zhvillua para Kryeministrisë, tha se PD “është shpresa e vetme për shpëtimin e Shqipërisë nga narkoshteti”.

Në fjalën e tij para protestuesve, Berisha theksoi se protesta nuk është thjesht një reagim opozitar, por një lëvizje më e gjerë qytetare.

“Sot ne mblidhemi këtu jo vetëm si një alternativë e shkëlqyer politike. Sot ne mblidhemi këtu në këtë protestë madhështore si shpresa e vetme për shpëtimin e Shqipërisë nga narkoshteti i Edi Ramës, i bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve”, u shpreh Berisha nga foltorja e protestës.

“Që ne jemi shpresa e vetme për Shqipërinë, sot është më e qartë se kurrë për çdo shqiptar, për miqtë e Shqipërisë në botë, të cilët duan që ky vend të dalë sa më parë nga kjo lëngatë e keqe që po e shkreton dhe shkatërron trupin e saj”, tha Berisha.

Berisha tha se “në kryengritjen paqësore të kaluar, dhjetëra mijëra qytetarë guximtarë u përballën në rrugët dhe sheshet e Tiranës si të pamposhtur për orë të tëra, dhëmb për dhëmb me regjimin”

“U përballën me ujin e helmuar, gazin lotsjellës, shkopinjtë dhe plumbat e gomës, por triumfuan”, tha ai.

Berisha tha se qeveria ushtron presioni ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

Berisha tha se në Shqipëri ekziston vetëm një forcë politike që, sipas tij, mbron idealet demokratike dhe përfaqëson guximin qytetar. Sipas tij kjo forcë, qëndron e pandikuar nga presionet dhe sulmet politike.

“Ka vetëm një forcë që sot qëndron e pamposhtur ndaj sulmeve të egra të narkoshtetit. Ka vetëm një forcë që sot ngrihet mbi frikën dhe dhunën në betejën për interesat, për dinjitetin e shqiptarëve, liritë e tyre. Dhe kjo forcë është Partia Demokratike”, tha ai.