Gjermania kërkon ekstradimin e dy kosovarëve, të dyshuar për tentim vrasjeje në Augsburg

Policia në Augsburg të Gjermanisë ka identifikuar dy persona të dyshuar për të shtënat që kanë ndodhur rreth një vit më parë në një bar.

Sipas mediave gjermane, dy të dyshuarit janë nga Kosova dhe dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri në restorantin “Loco” në rrugën Donauworther të Augsburgut.

Ky veprim është klasifikuar si tentim vrasjeje.

Një grup special hetues i quajtur “Hettenbach” është krijuar për të sqaruar rastin.

Si pjesë e hetimeve, një bastisje ka ndodhur tetorin e vitit 2025, e cila rezultoi me arrestimin e disa personave për trafikim ilegal të drogës.

“Të dyshuarit janë në Kosovë, dhe zyra e prokurorit publik ka lëshuar kërkesë për ekstradim”, ka raportuar “RadioFatansy” e Gjermanisë.

Policia nuk ka ofruar informacione nëse të dyshuarit janë ndaluar në Kosovë.

Një gjykim i menjëhershëm në Gjermani nuk pritet të ndodhë për shkak të kompeksitetit të procedurave të ekstradimit.

Hetimet mbi motivet e rastit janë duke vazhduar.

Ndërkaq, “Augsburger Allgemeine” ka dhënë detaje mbi rastin e ndodhur në majin e vitit 2025.

“Një shpërthim u dëgjua teksa raketat e fishekzjarrëve ngriheshin në ajër aty pranë. Në zonën e Urës Wertach në Oberhausen, fishekzjarrët tradicionalë të festës Plarrer dëgjohen gjithmonë me zhurmë të madhe. Por zhurmat që kalimtarët dëgjuan në një mbrëmje të majit 2025 nuk vinin vetëm prej tyre”.

“Në atë kohë, dy burra qëlluan me armë drejt një lokali në rrugën Donauworther. Predhat goditën fasadën dhe pjesën ballore me xhama. Brenda në ‘Loco Bar’ kishte mysafirë, ndërsa edhe jashtë, në trotuar, ndodheshin njerëz, por fatmirësisht askush nuk u lëndua”.

“Tani, Prokuroria dhe Departamenti i Hetimeve Kriminale në Augsburg thonë se kanë identifikuar personat që qëndrojnë pas kësaj ngjarjeje, të cilën hetuesit e cilësojnë si tentim vrasjeje”.

Ky medium thotë se ka shumë gjasë që rasti të jetë konflikt mes bandave.