Azemi: Kemi qenë bashkëpunëtorë të mirë me Kurtin në opozitë, ndryshoi kur erdhi në pushtet

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të sektorit privat, Jusuf Azemi ka komentuar edhe veprimet e kryeministrit Kurti në raport me sektorin privat.

Ai ka thënë se kryeministri kur ka qenë në Opozitë ka premtuar shumë gjëra por kur u emërua kryeministër nuk kanë ndodhur

“Në kohën kur ka qenë në Opozitë kemi qenë bashkëpuntorë të mirë, në momentin kur ai ka ardhur si kryeministër ka ndryshuar çdo gjë, përderisa VV-ja është në pushtet ne i rrespektojmë por veprimet që po i bëjnë, le të ma jep dikush një element dhe të thotë se këtë e ka bërë për sektorin privat pse po e humb, sepse nuk kanë bërë asgjë”, tha ai në Kanal10.

Azemi reagoi ashpër ndaj dhënies së pagës së 13-të vetëm ndaj punëtorëve të sektorit publik, që ai e quan si ndarje të padrejtë dhe irrituese për punëtorët e sektorit privat.

Sipas tij, kjo ndarje ka ndikuar rëndë tek punëtorët e sektorit privat, duke i bërë ata të ndihen të dëmtuar si në aspektin financiar, por më shumë në atë moral.

Azemi theksoi se punëtorët e sektorit privat janë trefish më të shumtë në numër dhe shumëfish më të rrezikuar krahasuar me ata të sektorit publik, ndërsa përballen me mungesë të zbatimit të ligjeve që duhet t’i mbrojnë.

“Ligji i punës dhe ligjet tjera nuk zbatohen as për së afërmi njësoj”, tha Azemi në Gazeta.

Ai përmendi edhe rastet tragjike të vdekjeve në vendin e punës, duke theksuar se një nga punëtorët e fundit ka humbur jetën në ditë feste, pa marrë trajtimin e duhur institucional, në ndërkohë që punëtorët e sektorit publik kanë qenë në pushim.

Sipas Azemit, kjo situatë krijon një disbalancë të thellë, sidomos kur bëhet fjalë për shpërndarjen e mjeteve nga buxheti i shtetit.

“Buxheti i Republikës së Kosovës është i përbashkët për të gjithë qytetarët, dhe nëse ka subvencione apo mbështetje, ato duhet të ndahen në mënyrë të barabartë”,shtoi tutje Azemi.