Papa Leoni XIV bën thirrje kundër luftës: Punoni për paqe në nivel ndërkombëtar

Gjatë vizitës së tij në Kamerun, Papa Leoni XIV dha një mesazh të fortë kundër luftës dhe përdorimit të fesë për qëllime politike, ushtarake dhe ekonomike.

Duke folur nga Katedralja e Shën Jozefit në Bamenda, ai tha se “udhëheqësit e luftës” shpesh e injorojnë faktin se shkatërrimi mund të ndodhë në një moment, ndërsa rindërtimi mund të mos jetë i mundur as pas një jete të tërë.

Papa Leoni XIV dënoi gjithashtu përdorimin e fesë si mjet për përfitime politike dhe konflikte, duke thënë se është e papranueshme që ajo që është e shenjtë të “zvarritet në atë që është më e errëta”.

Bamenda ndodhet në një nga dy rajonet anglofone të Kamerunit, të përfshira në një konflikt të gjatë për pavarësi që ka nisur që nga fundi i vitit 2016.

Rajoni mbetet një nga zonat më të tensionuara në vend, me dhunë të përsëritur dhe paqëndrueshmëri të vazhdueshme.

Një ditë më parë, Papa Leoni XIV kritikoi gjithashtu situatën globale, duke deklaruar se bota po ndikohet nga “një grusht tiranësh” dhe duke bërë thirrje për më shumë solidaritet dhe paqe në nivel ndërkombëtar. /abcnews