Çekia kërkon shpjegim nga Rusia, pasi Medvedevi i kërcënoi fabrikat e dronëve në Evropë

Republika Çeke ka kërkuar shpjegim pasi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e publikoi një listë kompanish që pretendon se po ndihmojnë në prodhimin e dronëve sulmues për Ukrainën, ndërsa ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, e quajti atë “listë e shënjestrave të mundshëm” për ushtrinë ruse.

Lista, e cila përfshinte adresat e kompanive në shumë vende, kryesisht në Evropë, u publikua nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë më 15 prill, së bashku me një paralajmërim se një bashkëpunim i tillë “po i zhyt këto vende më shpejt në luftë me Rusinë” dhe se mund të ketë “pasoja të paparashikueshme”.

Në një deklaratë në faqen e saj të internetit, Ministria ruse tha se përpjekjet evropiane për të rritur furnizimet me dronë për Ukrainën do të çonin në një “përshkallëzim të ashpër të gjendjes ushtarako-politike në gjithë kontinentin evropian”.

Deklarata pasqyroi paralajmërime të shumta nga Kremlini dhe ministritë ruse, të cilat e akuzojnë Perëndimin dhe veçanërisht Evropën për përshkallëzimin e luftës në Ukrainë, e cila nisi në vitin 2022 me urdhrin e presidentit rus, Vladimir Putin, për pushtimin e plotë të vendit fqinj.

Medvedev përdori një gjuhë haptazi kërcënuese në një postim në platformën X më vonë të enjten, duke shkruar se “deklarata e Ministrisë së Mbrojtjes duhet marrë fjalë për fjalë: lista e shënjestrave evropiane që prodhojnë dronë dhe pajisje të tjera është listë caqesh të mundshëm për forcat e armatosura ruse”.

“Se kur sulmet do të bëhen realitet, varet nga ajo që do të ndodhë më pas”, shkroi ai. “Flini qetë, partnerë evropianë!”.

President i Rusisë nga viti 2008 deri në 2012 dhe kryeministër nga 2012 deri në 2020, Medvedev tani është zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë, një organ këshillimor i Putinit.

Si president, ai paraqitej si kryesisht liberal dhe mbështetës i reformave demokratike, por më vonë është shndërruar në një kritik shpesh agresiv i Evropës dhe mbështetës i fortë i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, duke përdorur rrjetet sociale për retorikë të ashpër dhe kërcënime bërthamore ndaj Perëndimit.

Ministri i Jashtëm i Çekisë, Petr Macinka, e thirri të enjten ambasadorin rus në Pragë “për të shpjeguar këto deklarata ndaj palës çeke”, njoftoi Ministria e Jashtme, duke iu referuar raportit të Ministrisë të Mbrojtjes së Rusisë dhe komenteve të Medvedevit.

Ajo tha se “disa kompani çeke…u identifikuan si shënjestra të mundshëm të sulmeve ruse”.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë i renditi 11 kompani që pretendon se janë të përfshira në prodhimin e dronëve ose komponentëve të lidhur për Ukrainën, dy prej tyre në Republikën Çeke.

Disa vende evropiane kanë njoftuar plane për të rritur bashkëpunimin në mbrojtje me Ukrainën, përfshirë prodhimin e përbashkët të dronëve dhe përpjekjet për të mësuar nga përvoja e Kievit në fushën e luftës me dronë.

Gjatë vizitave të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky më 14 prill, për shembull, Gjermania tha se do të “vazhdojë të mbështesë industrinë e dronëve të Ukrainës si dhe të krijojë ndërmarrje të përbashkëta për prodhimin e dronëve”, ndërsa Norvegjia tha se do të rrisë bashkëpunimin me Kievin, përfshirë prodhimin e dronëve ukrainas. /REL