Trumpi njofton se Izraeli dhe Libani kanë arritur armëpushim dhjetë ditor

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se Izraeli dhe Libani janë pajtuar për një armëpushim 10-ditor, ndërsa zyrtarë iranianë e cilësuan ndaljen e luftimeve në Liban si çështje me rëndësi të madhe për Teheranin.

Në një deklaratë të publikuar të enjten, Trump tha se marrëveshja u arrit pas bisedave që ai zhvilloi me presidentin e Libanit, Joseph Aoun, dhe kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu.

“Këta dy udhëheqës janë pajtuar që, për të arritur paqe mes vendeve të tyre, të nisin zyrtarisht një armëpushim 10-ditor në orën 17:00 sipas kohës lindore amerikane”, tha Trump.

Ai shtoi se të martën, Izraeli dhe Libani u takuan për herë të parë pas 34 vjetësh në Uashington, në bisedime ku mori pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Trump tha po ashtu se ka udhëzuar nënpresidentin JD Vance, sekretarin Rubio dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Dan Caine, që të punojnë me Izraelin dhe Libanin për të arritur “një paqe të qëndrueshme”.

Trump shkroi po ashtu në rrjetin e tij Truth Social se do ta ftojë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidentin e Libanit, Joseph Aoun, në Shtëpinë e Bardhë për ato që i quajti bisedimet e para kuptimplota mes Izraelit dhe Libanit që nga viti 1983.

“Të dyja palët duan të shohin paqe, dhe unë besoj se kjo do të ndodhë, shpejt”, tha ai.

Më herët gjatë ditës, kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij libanez, Nabih Berri, raportuan mediat iraniane më 16 prill.

Sipas këtyre raportimeve, Qalibaf tha se po e ndiqte vazhdimisht situatën në Liban dhe përpjekjet për vendosjen e një armëpushimi në atë vend.

Ai e cilësoi këtë çështje si “shumë të rëndësishme” për Iranin, duke thënë se për Teheranin një armëpushim në Liban është po aq i rëndësishëm sa një armëpushim në Iran.

Qalibaf udhëhoqi delegacionin iranian në bisedimet me Shtetet e Bashkuara në Islamabad fundjavën e kaluar dhe një ditë më parë u takua me komandantin e ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, i cili kishte udhëtuar në Iran si ndërmjetës.

Nga ana e tij, Berri tha se çdo marrëdhënie me Izraelin do të ishte kundër interesave të popullit libanez. Kryetari i Parlamentit libanez konsiderohet aleat i Hezbollahut dhe i afërt me qeverinë iraniane.

Hezbollahu është njëkohësisht grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesë të mëdha të jugut të Libanit. Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë organizatë terroriste, ndërsa Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë vetëm krahun e tij të armatosur.

Biseda telefonike mes Qalibafit dhe Berrit u zhvillua në të njëjtën kohë me përpjekjet amerikane për të vazhduar negociatat mes zyrtarëve libanezë dhe izraelitë dhe për të vendosur një armëpushim në vend.

Irani e ka bërë armëpushimin në Liban një nga kushtet e tij për çdo marrëveshje me Shtetet e Bashkuara. /REL