MINTI gjobit KEDS-in me 30 mijë euro për njehsorë me afat të skaduar

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka shqiptuar gjobë prej 30 mijë eurosh ndaj KEDS, pas konstatimit të gjashtë njehsorëve elektrikë me afat të skaduar të verifikimit.

Sipas njoftimit, masa është ndërmarrë në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme të kontrollit të njehsorëve në gjithë territorin e Kosovës, ku Komisioni Verifikues po zhvillon inspektime në shtatë rajonet e vendit për të identifikuar parregullsitë.

Rezultatet nga analizat laboratorike të kryera në Agjencia e Metrologjisë së Kosovës kanë evidentuar pasaktësi në regjistrimin e orës dhe datës në disa prej njehsorëve të testuar.

Në këtë kuadër, MINTI i ka dërguar kërkesë zyrtare KESCO për kompensimin e konsumatorëve të dëmtuar, ndërsa ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin ditor të situatës përmes raporteve përkatëse.

Institucioni gjithashtu ka theksuar se Komisioni Verifikues po bashkëpunon ngushtë me Prokurorinë dhe organet hetuese për trajtimin e mëtejmë të rastit.

MINTI ka ritheksuar përkushtimin për transparencë dhe mbrojtjen e konsumatorëve, duke premtuar informim të vazhdueshëm për çdo zhvillim lidhur me këtë çështje./Zëri