Anulohet seanca ndaj Ilir Krasniqit dhe Milaim Zekës për shmangie nga tatimi

Për shkak se i akuzuari Milaim Zeka gjendet jashtë vendit për çështje shëndetësore, është anuluar gjykimi ndaj tij dhe Ilir Krasniqit, të akuzuar për shmangie nga tatimi.

Një gjë e tillë u bë e ditur për “Betimi për Drejtësi” nga zyra e gjykatëses së rastit Edita Qanta.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 prill 2022 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-deputetit Milaim Zeka dhe dy të akuzuarve – Ilir Krasniqi dhe Edmond Kërliu – për veprat penale “Mashtrimi”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Pastrimi i parave”. Por Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Milaim Zekës dhe Ilir Krasniqit sa i përket veprës penale “Shmangie nga tatimi”, kurse pjesën tjetër të aktgjykimit të Themelores e ka vërtetuar.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 28 gusht 2018 ka ngritur aktakuzë me pretendimin se të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu kanë kryer disa vepra penale.

Krasniqi dhe Zeka akuzohen se prej vitit 2016 deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, më 2 qershor 2016 kishin krijuar biznesin “I.K & M.Z. Op”, si agjenci punësimi. Sipas aktakuzës së përpiluar nga ana e prokurorit Afrim Shefkiu, të pandehurit thuhet se kishin paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani përmes emisionit “Pa rrotlla”, duke joshur qytetarët që të aplikonin në zyrat e tyre në lagjen “Pejton” të Prishtinës.

Tutje, thuhet se në këtë rast ishte përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit Krasniqi, F.K., e cila ishte marrë me përgatitjen e dokumentacionit për punësim në Gjermani në biznesin e saj për rregullimin e kopshteve.

Krasniqi dhe Zeka akuzoheshin se kishin mashtruar 900 aplikues për viza pune, duke iu marrë shuma prej 500 deri në 3 mijë e 50 euro, të cilat i kishin ndarë proporcionalisht mes vete. Pas fillimit të hetimeve, 354 personave u janë kthyer mjetet në vlerë prej 83 mijë e 850 eurove, kurse 546 personave të tjerë nuk u janë kthyer mjetet në shumë prej 261 mijë e 850 eurove.

Me këtë Krasniqi dhe Zeka ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”.

Ndërsa, gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, sipas aktakuzës, si bashkëpronarë të biznesit të përmendur, me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, me ç’rast akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

I pandehuri Ilir Krasniqi akuzohet po ashtu se me qëllim të fshehjes së burimeve të mjeteve financiare të fituara nga mashtrimi me viza pune dhe shmangies nga tatimi më 19 nëntor 2016 kishte bërë transaksione të dyshimta, me ç’rast akuzohet se ka kryer veprën penale “Pastrimi i parave”.

Ndërsa, të pandehurit Zeka dhe Kërliu, sipas Prokurorisë, kanë kryer edhe veprat penale “Mashtrimi” dhe “Shmangia nga tatimi”. Kurse, i pandehuri Zekaj akuzohet se si pronar i NSH Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës”, me dashje direkte të shmangies së obligimeve tatimore ndaj ATK-së ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”. /BetimipërDrejtësi