Shënohet 27-vjetori i rënies së Shkëlzen Haradinajt me shokë

Në 27-vjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit, Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Luan Nimanaj dhe Hasim Halilaj, në Kompleksin Memorial në Gllogjan po zhvillohen nderime pranë përmendoreve të tyre.

Pas ceremonisë së nderimeve ka nisur edhe ecja në këmbë, e njohur si “Shtegu i lirisë”, nga Gllogjani drejt Maznikut, në vendin ku ata ranë heroikisht.

Ata ranë në mbrojtje të civilëve në Duboçakë të Maznikut.

Kujtojmë se gjeneral Shkëlzen Haradinaj ishte komandant për Operacione Luftarake i Zonës Operative të Dukagjinit dhe me tre eprorët e lartë të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj, ranë në betejën e Maznikut.

Shkëlzen Haradinaj u lind më 25 mars 1970 në Gllogjan dhe konsiderohet si njëri ndër figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sinonim i shumë betejave të Dukagjinit.

Shkëlzen Haradinaj është vëllai i gjeneral Luan Haradinajt, i cili kishte rënë më 6 maj të vitit 1997 në kufirin shqiptaro-shqiptar, derisa me një grup bashkëluftëtarësh po hynin në Kosovë. /rtk