Dy të plagosur në Prishtinë pas të shtënave me armë zjarri në orët e hershme të mëngjesit

Dy persona kanë mbetur të plagosur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në Prishtinë.

Këtë e ka konfirmuar për “Zërin” zëdhënësi i Policisë së Kosovës për kryeqytetin, Enis Pllana, i cili theksoi se rasti ka ndodhur në rrugën “Ahmet Krasniqi”, rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm.

“Sot rreth orës 04:00 Policia ka pranuar informatën për një plagosje me armë zjarri në rrugën ‘Ahmet Krasniqi’ në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informatat fillestare, dyshohet se me armë zjarri janë plagosur dy persona, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor”, ka thënë Pllana për “Zërin”.

Pllana bëri të ditur se tashmë hetuesit policor në koordinim me prokurorin e Shtetit po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit. /Zëri