Parashikimi i zymtë i FMN-së, lufta mund të çojë ekonominë globale në recesion

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike globale për shkak të luftës në Iran. Institucioni pret që ekonomia botërore të zgjerohet me 3.1% këtë vit me një ulje prej 0.2% nga parashikimi i bërë në janar.

Rishikimi bazohet në skenarin më të lehtë nëse lufta përfundon së shpejti, ndërsa inflacioni vlerësohet të arrijë në 4.4%. Por, FMN-ja në raportin e fundit ka vlerësuar edhe dy skenarë të tjerë më pesimistë nëse konflikti zgjat në kohë.

Një mbyllje më e gjatë e Ngushticës së Hormuzit dhe dëmtimet e mëtejshme të infrastrukturës së prodhimit të naftës do të rëndonin më shumë ekonominë botërore dhe sipas FMN-së rritja ekonomike do të binte në 2.5%.

Ndërkohë në skenarin më të rëndë, ku problemet me furnizimet dhe rritja e çmimeve shtrihet edhe vitin e ardhshëm, inflacioni mund të kalonte në 6% dhe ekonomia do të zgjerohej vetëm me 2%. FMN-ja nuk përjashton as një recesion të mundshëm.

Shoku energjetik sipas institucionit ndërkombëtar po rrit çmimet dhe po dobëson aktivitetin ekonomik. Rivendosja e stabilitetit të çmimeve sipas FMN-së mund të kërkojë ndërhyrjen e bankave qendrore me shtrëngim të politikës monetare.

Paralelisht FMN rekomandon edhe marrjen e masave në drejtim të politikave fiskale për të kufizuar çmimet dhe subvencionuar rritjen e tyre për shtresat më të prekura.

Nëse kushtet financiare shtrëngohen ndjeshëm dhe aktiviteti global përkeqësohet më tej sipas FMN-së, politika monetare dhe fiskale duhet të jenë të gatshme të ndryshojnë drejtim për të mbështetur ekonominë dhe mbrojtur sistemin financiar.