Konstatohen shkelje ligjore nga Komuna e Prishtinës për deponinë në Matiçan

Fitore Pacolli, ministre e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka bërë të ditur se Inspektorati i Ministrisë ka konstatuar shkelje të qarta ligjore nga Komuna e Prishtinës lidhur me menaxhimin e deponisë së mbetjeve inerte dhe të vëllimshme në zonën e Matiçanit.

Pacolli, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se, përmes një aktvendimi zyrtar, Komuna obligohet që brenda një afati prej 15 ditësh të nisë procedurat ligjore për pajisje me pëlqim ujor.

Pacolli ka paralajmëruar se çdo neglizhencë apo mosveprim brenda këtij afati do të pasohet me masa të menjëhershme ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Qëndrimi ynë është i qartë. Mbrojtja e mjedisit dhe e ujërave është prioritet i padiskutueshëm i yni. Ligji vlen njëlloj për të gjithë, përfshirë edhe institucionet komunale”, ka theksuar ministrja.