Krasniqi-Goodman: Isha vetëm 16 vjeçe, Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për krimet

Homazhe te memoriali “Heroinat” ka bërë edhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila theksoi se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për krimet.

Ajo është përlotur para mediave kur kujtoi se si 16-vjeçare ishte në dorën e armikut.

“Së pari, pas 27 viteve, kur isha vetëm 16-vjeçare, isha në dorën e armikut. Sot jam këtu për të folur për drejtësinë, se sot e kam gjithë popullin shqiptar pas vetes, se për shumë vite e kisha vetëm familjen. Dua të falënderoj institucionet, organizatat, shoqërinë, familjen për përkrahje e për mbështetje. Ju bëj thirrje viktimave që me na u bashkangjitë sa më shumë, me dalë me fol publikisht, por gjëja kryesore është me kërkua drejtësi. Kjo është diçka që nuk i falet Serbisë për krimet që i ka bërë në Kosovë. Kur unë kam ditur me kërkua drejtësi kur i kam pasur vetëm 17 vjet, pse mos me kërkua edhe sot të gjithë drejtësi”, tha Krasniqi-Goodman.

Ramadan Nishori, i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës, u bëri thirrje të mbijetuarve të flasin publikisht.

“Unë sot u bë një vit kur kam dalë me fol publikisht. Unë prej këtij vendi ju bëj thirrje çdo mbijetuari dhe mbijetuareje që të vijnë sa më shumë nëpër organizata, le të kërkojnë ndihmë, se edhe kemi me bërë padi kundër shtetit serb”, tha Nishori.

Feride Rushiti, drejtore ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e te Mbijetuarve të Tortures (QKRMT), foli për rëndësinë që të mbijetuarit kanë ngritur zërin për drejtësi.

“Sot kjo ditë për të gjithë shoqërinë kosovare, por mbi të gjitha për të mbijetuarit, për familjarët e tyre, për historinë e Kosovës, shënon memorien kolektive të Kosovës. Ditë kjo e cila është e mbushur me aktivitete, e na vjen mirë që përtej nesh si organizata, krah i kemi edhe institucionet e Kosovës, të cilat me aktivitete të ndryshme po e lansonin edhe po e ngrisin zërin për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Dua të them se kjo ditë koincidon me datën e Vasfije Krasniqit, në momentin kur kjo si e re i është nënshtruar torturës masive në vendin ku i ka ndodhur krimi. Dhe nga ai vend, vite më parë Vasfija ka kërkuar që kjo ditë të jetë ditë institucionale, ditë memoriale për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës. Sot ne i respektojmë, nderojmë zërin e Vasfijes, zërin e Danit, zërin e Shyhretit, por edhe me mijëra e qindra të mbijetuar të cilët ende nuk flasin dhe kanë frikë nga stigma dhe paragjykimi që historitë e tyre t’i ndajnë në publik”, tha ajo. /eo