Kastrati: FSK-ja drejt misionit paqeruajtës në Gaza, vendimin final e jep Kuvendi

Ish-komandanti i Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, ka folur rreth fuqizimit të FSK-së dhe zbarkimit të saj në Gaza në një mision paqeruajtës.

Ai ka treguar edhe për procedurën e dërgimit të FSK-së në misione jashtë vendit.

“FSK ka bërë kërkesën drejt Qeverisë, Qeveria e ka aprovuar një kërkesë të tillë dhe tani, pas komisionit parlamentar, ajo duhet të shkojë në Parlamentin e Republikës së Kosovës dhe Parlamenti është organi më i lartë dhe organi i vetëm që Forcat e Armatosura të Kosovës i lejon që të zbarkojnë në një operacion jashtë vendit dhe kuptohet që ky operacion, pas miratimit të Kuvendit, miratohet edhe nga Presidentja, në këtë rast nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentit dhe atëherë forcat tona të armatosura janë të gatshme që të zbarkojnë”, ka thënë ai në RTVDukagjini.

Ai tutje është shprehur se FSK është ngritur me standardet më të larta që ka bota në fushën ushtarake.

“Me standarde të NATO-s dhe të ndihmuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë, në krye me SHBA-të, ku kanë bërë disa zbarkime jashtë vendit. Dy zbarkime si operacione paqeruajtëse dhe pastaj disa operacione humanitare, ka shumë ushtrime të përbashkëta që ka bërë me partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Kastrati gjithashtu ka thënë se Kosova në misionin në Gaza do të përfaqësohet në mënyrë të dinjitetshme.