Gazetari i afërt me Juventusin tregon pse Spalletti nuk luan me Zhegrovën

Gazetari i afërt me Juventusin, Romeo Agresti, ka dhënë përditësimet e fundit lidhur me situatën e Edon Zhegrova te klubi italian.

Sipas tij, mungesa e aktivizimit të Zhegrovës në disa ndeshje radhazi lidhet kryesisht me arsye teknike.

Trajneri Luciano Spalletti duket se u beson më shumë lojtarëve që ofrojnë disiplinë taktike dhe kontribut më të madh në fazën mbrojtëse, si Francisco Conceiçao.

“Roli i Edon Zhegrovës në stol vjen për arsye thjesht teknike. Spalletti beson se ai nuk garanton punën taktike dhe mbrojtëse që ofrojnë anësorë të tjerë”.

"Ka pesë ndeshje që nuk e fut fare në lojë. Ai futet kur rezultati është i keq për Juventusin, për të gjetur një zgjidhje", ka deklaruar Agresti.

Ai shton se e ardhmja e reprezentuesit të Kosovës te Juventusi mbetet e hapur, pasi klubi mund ta shesë gjatë verës nëse arrin një ofertë e rëndësishme.

“Nëse vjen një ofertë serioze për të, Juventusi do ta shesë për të kërkuar më pas një lojtar që përshtatet më mirë me sistemin e trajnerit”, deklaroi Agresti.

Zhegrova ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me Juventusin dhe përfiton rreth 4.5 milionë euro në sezon, por deri më tani nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë që kishte krijuar me paraqitjet e tij te Lille OSC.