Maloku: Mungon vullneti për zgjedhjen e presidentit, përgjegjësia bie te subjekti më i madh
Politologu Albinot Maloku ka vlerësuar se mungesa e vullnetit politik nga subjekti më i madh parlamentar po e zvarrit procesin e zgjedhjes së presidentit, duke paralajmëruar se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Ai për Ekonominë Online tha se përgjegjësia kryesore për situatën aktuale bie mbi partinë më të madhe në Kuvend.
“Qasja e subjektit më të madh, që e ka përgjegjësinë në një formë ose tjetër për të ecur përpara drejt zgjidhjes së çështjes së shefit të shtetit, është një rrethanë e krijuar pa nevojë dhe nga një dozë e lartë e vullnetit dhe egoizmit për ta mbështetur gjithë pushtetin mbi fuqinë e subjektit politik. Kjo është në vazhdën e kësaj tradite te ky subjekt që e ka përgjegjësinë. Paralelisht, edhe subjektet e tjera, të cilat në një formë ose tjetër po provojnë të japin kontributin e vet, megjithatë përgjegjësia thelbësore bie te subjekti më i madh në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo situatë nuk do të vinte në asnjë mënyrë sikur subjekti më i madh politik në vend, pavarësisht pasjes së mundësisë për të formuar qeverinë e re, të shihte realitetin e fuqisë së vet në çështjen e zgjedhjes së shefit të shtetit dhe, për pasojë, të kishte menduar më herët për një marrëveshje ose koalicion me ndonjë nga subjektet politike, edhe para formimit të qeverisë, në mënyrë që paralelisht të mos kishim problem me zgjedhjen e shefit të shtetit. Të mos shkeleshin gjithashtu afatet kushtetuese që lidhen me atë 5 marsin e famshëm”, tha ai.
Sipas tij, aktualisht më shumë po shihet tendencë për zgjedhje të reja sesa për zgjidhje.
“Tani unë shoh më shumë një vullnet që të ketë një proces të parakohshëm zgjedhor në vend, sesa një vullnet që të ecet përpara drejt zgjidhjes së çështjes së shefit të shtetit. Kjo përgjegjësi bie kryesisht mbi subjektin më të madh parlamentar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kurse subjektet e tjera gjithsesi e kanë peshën e tyre, por jo sa subjekti më i madh parlamentar në vend”, tha ai.
Maloku kritikoi edhe mënyrën se si po zhvillohen takimet ndërmjet partive politike.
“Takimet e mbajtura konsideroj që po duken më shumë si takime për takime. Subjektet e tjera opozitare parlamentare të Republikës së Kosovës po e japin kontributin e tyre duke mos iu shmangur këtyre takimeve, mirëpo pala tjetër nuk po tregon qartësi të pozicionit dhe interesit të saj për sa i përket kësaj çështjeje. Tani kemi pasur një takim mes krerëve të LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje dhe është thënë se nevojiten megjithatë 84–85 vota për zgjedhjen e shefit të shtetit. Mesazhet janë të ndryshme që i janë dërguar këtij subjekti politik, mirëpo nuk ka qartësi. Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës me të drejtë kërkon që të ketë qartësi të pozicionit të subjektit më të madh politik parlamentar, në mënyrë që të dihet se për çfarë do të diskutohet”, tha ai.
Ai theksoi se pa një marrëveshje politike nuk mund të ketë votim për presidentin.
“Është nonsens që subjektet parlamentare opozitare të japin votën për zgjedhjen e presidentit pa një marrëveshje politike. Dhe në këtë rrafsh unë konsideroj që subjekti me numrin më të madh në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të duhej ta dinte se pa një marrëveshje politike nuk ka mundësi të ecet përpara. Kjo marrëveshje politike nënkupton, në njëfarë mënyre, ndarjen e pozicioneve, konkretisht reforma afirmative ndoshta si shpjegim në Qeverinë e Republikës së Kosovës, në mënyrë që edhe një subjekt tjetër politik të jetë pjesë e qeverisë dhe të ecet përpara drejt zgjedhjes së shefit të shtetit. Subjekti më i madh parlamentar ka pasur mundësinë që në fillim të mos e çonte situatën deri këtu, dhe kjo i jep atij përgjegjësi dhe pasojë. Kurse subjektet opozitare gjithsesi synojnë dhe kanë interes të jenë në një formë ose tjetër pjesë e një marrëveshjeje, në mënyrë që të japin votën ose kontributin e tyre në zgjedhjen e presidentit”, tha Maloku.