Serbia promovon kriminelët e luftës, reagon OVL UÇK-ja
Organizata e Veteranëve të Luftës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK-ja) ka reaguar ashpër pas vendimeve të fundit të Kuvendit të Serbisë, duke i cilësuar ato si vazhdimësi të “narrativave që rehabilitojnë krimet e luftës”.
Në reagim, OVL UÇK-ja thekson se ndërsa në Kosovë ende vazhdojnë kërkimet për persona të pagjetur nga periudha e luftës, Serbia po vazhdon të glorifikojë figura të lidhura me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Duke lartësuar figura që lidhen drejtpërdrejt me gjenocidin shtetëror ndaj popullit shqiptar, Kuvendi i Serbisë dëshmon se ky shtet nuk është penduar për të kaluarën e tij kriminale”, thuhet në reagim.
OVL UÇK-ja ka kërkuar gjithashtu reagim të qartë dhe të prerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, duke paralajmëruar se heshtja ndaj këtyre veprimeve përbën bashkëfajësi morale.
“Kërkojmë që SHBA-ja dhe BE-ja të reagojnë prerë ndaj këtij vendimi të paparë, sepse heshtja përballë narrativave që rehabilitojnë krimet kundër njerëzimit është bashkëfajësi morale”, thuhet në reagimin e tyre.
Ndryshe, ditë më parë në Kuvendin e Serbisë është hapur ekspozita kushtuar Njësive Speciale të Policisë dhe komandantit të tyre, Obrad Stevanoviq.
Pamjet nga hapja e saj kanë treguar edhe ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ish-zëdhënës i Sllobodan Millosheviqit, duke shtrënguar duart dhe duke u buzëqeshur me veteranë, një gjest që është parë si anashkalim i fakteve të dokumentuara për krimet e luftës.
Nga organizatat për të drejtat e njeriut kjo ekspozitë po cilësohet si përpjekje për revizionizëm historik dhe shtrembërim të fakteve të luftës në Kosovë.