Papa kërkon armëpushim në Liban

Papa Leo XIV kërkon armëpushim dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare, e cila përfshin edhe detyrimin moral për të mbrojtur popullsinë civile në Liban.

Papa Leo XIV mbajti të shtunën në mbrëmje (11.04.) një lutje për paqe në Bazilikën e Shën Pjetrit, së cilës iu bashkuan shumë komunitete në mbarë botën. Një nga arsyet ishte lufta në Iran, por konfliktet janë të shumta dhe ato nuk duhet të harrohen, tha Leo.

Papa Leo XIV kërkoi gjatë lutjes për paqen edhe armëpushim në Liban, vend i cili është prekur nga lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit. Ai tha se ndihet më afër se kurrë me njerëzit atje dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të ndalin luftimet dhe të angazhohen për paqe.

Papa: Të respektohet e drejta ndërkombëtare

Papa theksoi se është e nevojshme të respektohet e drejta ndërkombëtare. "Parimi i humanitetit, i rrënjosur në ndërgjegjen e çdo njeriu dhe i njohur nga e drejta ndërkombëtare, përfshin detyrimin moral për të mbrojtur popullsinë civile nga pasojat e tmerrshme të luftës”, tha ai.

"U bëj thirrje palëve në konflikt të ndalin zjarrin dhe të kërkojnë urgjentisht një zgjidhje paqësore”, theksoi Papa para mijëra njerëzve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit.

Mediat libaneze raportojnë për gjashtë të vrarë pas një sulmi izraelit

Sipas mediave shtetërore libaneze, gjatë një sulmi izraelit në jug të Libanit janë vrarë gjashtë vetë. Sulmi ishte pa paralajmërim dhe goditi një shtëpi në Maarub në mëngjesin e sotëm (12.04.), ku jetonin shtatë vetë, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve NNA.