Edhe një gotë alkool në ditë mund të rrisë rrezikun e kancerit, sipas shkencës

Konsumi i alkoolit, edhe në sasi të vogla, lidhet me një rritje të rrezikut për zhvillimin e disa llojeve të kancerit, sipas institucioneve kryesore shëndetësore botërore dhe studimeve shkencore ndërkombëtare, sipas “Science”.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), alkooli është klasifikuar si një substancë kancerogjene e Grupit 1 nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC), një organ i OKB-së i specializuar për kërkime mbi kancerin.

Ky klasifikim, i përcaktuar që në vitin 1988, nënkupton se ekzistojnë prova të mjaftueshme shkencore që alkooli shkakton kancer te njerëzit.

Cilat janë provat kryesore?

Studimet e kryera nga IARC-ja dhe organizata të tjera si, Instituti Kombëtar i Kancerit dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve treguan se alkooli lidhet me të paktën shtatë lloje kanceri, përfshirë: kancerin e gjirit, mëlçisë, ezofagut, gojës dhe fytit dhe zorrës së trashë.

Në nivel global, ai lidhet me rreth 740 mijë raste të reja kanceri çdo vit.

Mekanizmat përfshijnë, dëmtimin e ADN-së, rritjen e hormoneve si estrogjeni dhe rritjen e përthithjes së substancave të tjera kancerogjene .

Po “një gotë në ditë”?

Studimet epidemiologjike dhe raportet e fundit treguan se edhe konsumimi i moderuar, mund të rrisë rrezikun për disa kancere, sidomos kancerin e gjirit dhe të zorrës së trashë.
ë
Ndërsa për disa lloje kanceri, rreziku fillon të rritet edhe me një pije në ditë.

Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se rreziku rritet me sasinë e konsumuar, pra sa më shumë alkool, aq më i madh rreziku.

A ekziston një sasi “e sigurt”?

Sipas OBSH-së, nuk ka një sasi konsumimi të sigurt të alkoolit për shëndetin.

Kjo vlen veçanërisht për rrezikun e kancerit, edhe pse ndikimi ndryshon nga individi në individ.

Debati për “verën e shëndetshme”

Disa studime më të vjetra kanë sugjeruar përfitime për zemrën nga konsumimi i moderuar i verës.

Por, ekspertët theksojnë se këto studime shpesh janë observacionale dhe mund të ndikohen nga faktorë të tjerë si, stili i jetesës.

Provat shkencore nga organizatat kryesore globale si, OBSH dhe IARC tregojnë qartë se, alkooli është një kancerogjen i provuar; rreziku ekziston edhe në nivele të ulëta dhe rritet me sasinë e konsumuar.

Ndërsa pretendimet se “pak alkool” bën mirë për shëndetin, mbeten të debatueshme dhe të kufizuara nga faktorë të tjerë të stilit të jetesës. /atsh