Ekspertët shpjegojnë rritjen e çmimit të naftës dhe uljen me vonesë

Në Kosovë vihet re se rritja e çmimit të naftës reflektohet shpejt në treg, ndërkohë që ulja e saj duket se nuk përcillet me të njëjtin ritëm. Kështu shprehen edhe qytetarët, të cilët edhe sot u furnizuan me çmime të larta të naftës.

“Si po rritet atje, këtu menjëherë, ndërsa kur po bie në bursa, këtu po vonon, po mbetet shtrenjtë”, thotë një qytetar.

Ndërkohë, institucionet në Kosovë vazhdojnë edhe sot të caktojnë çmimin maksimal për shitjen e saj. Derisa ulja e çmimit të naftës në treg nuk po reflektohet shumë shpejt, Ministria e Industrisë ka caktuar çmimin maksimal të lejuar. Sipas Ministrisë, çmimi maksimal i një litri nafte nuk mund të kushtojë më shumë se 1.89 euro, ndërsa benzina 1.47 euro.

Njohësi i çështjeve të tregut të naftës, Jakup Gashi, jep arsyet lidhur me këtë mosreflektim të uljes së çmimit të naftës me të njëjtin ritëm sikurse shtrenjtimi.

“Kjo është e tepërt dhe, meqenëse shteti nuk ka krijuar mekanizëm të kontrollit, për këtë arsye tash përcjellët… elektronika e ka dhënë këtë mundësi dhe çfarëdo lëvizje ngritet. Edhe pse kjo nuk do të duhej të ishte reale. Ose së paku të shiten rezervat, e pastaj nëse bëhet furnizimi i ri, atëherë kanë arsye për ngritje të çmimit”, tha Gashi.

Ndërkohë, ekonomisti Safet Gërxhaliu thekson se një nga faktorët që ndikon në tregun global të naftës është edhe Ngushtica e Hormuzit, ku tregtarët mund të përballen me taksë për çdo anije që kalon në këtë zonë. Sipas tij, këto kosto mund të ndikojnë në transaksionet tregtare që lidhen me naftën edhe në të ardhmen.

“Ekzistojnë disa elemente, si mungesa e masave institucionale, qoftë në akcizë apo TVSH, mungesa e rezervave të naftës dhe mungesa e monitorimit”, tha Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë.

Nga Shoqata e Naftëtarëve thanë se ende nuk janë të sigurt për çmimet e naftës në ditët në vijim, për shkak të lëvizjeve të mëdha në treg, duke mos i komentuar faktorët rreth reflektimit të ngadaltë të çmimit të naftës.

Nga Autoriteti i Konkurrencës u arsyetuan se ndërmarrjet operojnë me stoqet e blera një apo dy ditë më parë me çmime më të larta, çka bën që uljet në bursat ndërkombëtare të reflektohen me një vonesë të shkurtër./rtk