Rezoluta e PDK-së për mbrojtjen e së vërtetës historike vendoset pikë e parë e rendit të ditës

Propozimi i PDK-së për Rezolutën për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999, me 86 vota për, u votua që të dalë si pikë e parë e rendit të ditës.

Edhe propozimi i LDK-së për ngritjen e çmimeve ka marrë 81 vota për që të trajtohet në pikat e para të rendit të ditës.

[11:41] Mosmarrëveshje për rendin e ditës, Haxhiu i fton në konsultim shefat e grupeve parlamentare

Kuvendi i Kosovës akoma nuk ka nisur të shqyrtojë pikat e rendit të ditës, edhe pse është bërë gati një orë që kur ka nisur seanca.

PDK-ja ka propozuar që rezoluta për Mbrojtjen e së vërtetës së luftës në Kosovë 1998-1999, të vendoset si pikë e rendit të ditë pas pyetjeve parlamentare, por ky propozim nuk u mbështet nga pozita, e cila tha se projektrezoluta ka nevojë për përmirësime, transmeton Zeri.info.

Haxhiu e ka vendosur në votim këtë propozim, por më vonë ka ftuar në takim shefat e grupeve parlamentare për konsultim. /Zëri

[11:27] Opozita nuk e miraton ndryshimin e rendit të ditës në seancën e Kuvendit

Partitë opozitare kanë votuar kundër ndryshimit të rendit të ditës në seancën, e cila po mbahet këtë të premte në Kuvendin e Kosovës.

LVV-ja ka propozuar që në rend dite në seancën plenare të futen tetë projektligje, në mesin e tyre ai për çmimet tavan, për lojërat mesdhetare, për banimin social, për sigurimet shëndetësore e të tjerë. /Zëri

[10:51] Nis me gati një orë vonesë seanca e Kuvendit

Ka nisur gati me një orë vonesë seanca e Kuvendit të Kosovës.

Seanca ishte thirrur për në orën 10:00, ndërsa deputetët janë mbledhur vetëm disa minuta para orës 11:00, transmeton Zeri.info.

Në këtë seancë janë disa pika në rend të ditës, ndër më të rëndësishmet janë ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në këtë seancë po marrin pjesë 90 deputetë.

Rendi i ditës:

Miratimi i rendit të ditës,

Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

Deklarimet jashtë rendit të ditës,

Pyetjet parlamentare,

Votimi i Projektligjit nr. 10/L-015 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës,

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-016 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika,

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-017 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfË, Frankfurt am Main, për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika në sektorin e Energjisë dhe Klimës për Kosovën,

Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-018 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0,

Votimi i Propozim-Rezolutës për rritjen e çmimeve të naftë, mungesa e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimi i drejtpërdrejtë në koston e jetesës si dhe stabiliteti ekonomik i vendit,

Zgjedhja e 1 (një) anëtari Joprokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës,

Shqyrtimi i “Propozim-Rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999”,

Propozimi i grupeve parlamentare të PDK-së dhe AAK-së për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.