Kurti: Britania e Madhe partner kyç strategjik, synohet thellimi i bashkëpunimit
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se Britania e Madhe është partner strategjik duke shprehur gadishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit.
Ai kështu është shprehur gjatë takimit që ka zhvilluar me Sekretaren për Punë të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.
“Në takim, kryeministri Kurti shprehu falënderime dhe mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, duke e theksuar marrëdhënien e fortë dhe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve, të bazuar në vlerat e përbashkëta demokratike dhe angazhimin për sigurinë dhe prosperitetin evropian. Ai theksoi se Mbretëria e Bashkuar është partner kyç strategjik dhe u zotua për thellim të bashkëpunimit”, thuhet në njoftim.
Duke folur për zhvillimin ekonomik të vendit, kryeministri Kurti theksoi rritjen e buxhetit dhe rishpërndarjen e drejtë të tij, si dhe vuri në pah fushat në zhvillim me theks sektorin e teknologjisë dhe atë të bujqësisë.
Kryeministri Kurti foli për investimet në fushën e mbrojtjes, ushtrimet e përbashkëta dhe bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar për të ofruar trajnime dhe mbështetje për Ukrainën.
Në kuadër të zhvillimit demokratik, kryeministri e vlerësoi procesin e zbatimit të plotë, gradual dhe pa përjashtime të Ligjit për të Huajt.
"Kurti theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si synime strategjike, janë thelbësore për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë”, thuhet në njoftim.
Kurti e informoi Sekretaren Cooper për kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, me mbështetjen e Rusisë, përfshirë operimin me 48 bazat ushtarake të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën.
Ai ka udhëtuar sot për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë vizitës, kryeministri Kurti pritet të ketë takime të nivelit të lartë me zyrtarë britanikë dhe ndërkombëtarë, si dhe do të marrë pjesë në Konferencën e Londrës për Mbrojtje.