SHBA-ja në OKB: UNMIK-u nuk ka më rol, Kosova s’mund të krahasohet me vitin 1999
Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se roli i misionit të UNMIK-ut në Kosovë duhet të rishqyrtohet, duke theksuar se realiteti në vend ka ndryshuar rrënjësisht që nga viti 1999.
Në fjalën e saj gjatë seancës për Kosovën, ajo kërkoi nga të pranishmit që të vlerësojnë aktualisht rolin e UNMIK-ut, duke nënvizuar se Kosova e sotme nuk mund të trajtohet njësoj si në periudhën e pasluftës.
“Sot, KFOR-i ndihmon në ruajtjen e sigurisë në rajon, EULEX-i dhe OSBE-ja punojnë për forcimin e sundimit të ligjit dhe institucioneve të Kosovës. Z. Sorensen udhëheq dialogun dhe UNMIK-u nuk ka më rol”, u shpreh ajo.
Në përfundim, përfaqësuesja amerikane u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë përpjekjet drejt normalizimit të marrëdhënieve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe prosperitetit të përbashkët.