Haxhiu pret Shaip Kamberin dhe Ardita Sinanin, flitet për mbështetjen ndaj Luginës së Preshevës

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim deputetin shqiptar nga Lugina e Preshevës, Shaip Kamberi, si dhe kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, së bashku me një delegacion përfaqësues nga Lugina.

Sipas njoftimit, bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutua për mbështetjen e vazhdueshme institucionale për Luginën e Preshevës në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, kulturën dhe zhvillimin institucional, me theks të veçantë në përkrahjen e studentëve dhe specializantëve.

Po ashtu, bashkëbiseduesit trajtuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit, si dhe rolin e Kuvendit të Republikës së Kosovës në adresimin e sfidave me të cilat përballen shqiptarët në Luginë.

Ndër çështjet kryesore të ngritura ishin pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave të fituara në Kosovë, gjuha e urrejtjes dhe pengesat në qasjen në fonde, të cilat vazhdojnë të mbeten shqetësime serioze.

Në përfundim, palët u dakorduan për vazhdimin e angazhimit institucional, me qëllim adresimin e këtyre sfidave dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. /Zëri