Inspektorët në terren për çmimin e naftës, pompat s’shpëtojnë nga gjobat në rast shkeljesh
Të martën Inspektorët e Ministrisë së Tregtisë dhe Administratës Tatimore të Kosovës inspektuan disa pika të derivateve për të kontrolluar çmimet e naftës, benzinës dhe gazit.
Ata kërkuan dokumente, kuponë fiskalë dhe licenca, ndërsa në rast parregullsish, ndëshkimet janë të paevitueshme. Ndërkaq, sot çmimet e naftës u rriten ndërkaq benzina u lirua nga dita e djeshme.
Çmimet e naftës s’i shpëtuan as inspektimit.
Herët në mëngjes, të martën, nga ministria e Tregtisë për terren u nisën mbikëqyrësit e Inspektoratit Qendror të Tregut bashkë me ata të Administratës Tatimore të Kosovës.
Cak kanë pikat e derivateve, ku nën llupë janë çmimet e naftës, benzinës e gazit.
Tri ekipet u ndanë në lokacione të ndryshme të vendit.
Ekipi i televizionit Dukagjini u ndal tek inspektimi i parë në Prishtinë.
“Inspektime të rregullta të MINT së bashku me ATK, për verifikimin e zbatimit të vendimit të ministrisë, për marzhën tregtare që është 12 cent në litër, edhe 2 cent për shitësit me shumicë, poashtu caktohet edhe vendimi i çmimit tavan, që bizneset duhet ta respektojnë”, ka thënë Shkëndije Bajrami-Azizi, inspektore në MINT.
Fillimisht, inspektorët kërkojnë menaxherin e pikës, e nga ai kërkojnë dokumentacionin e nevojshëm për verifikim.
“Sot më duhet licenca e shitjes së diesel-it dhe benzinës, për dokumente tjera që i duhen ATK-së, i kërkon kolega”.
Kur licenca dorëzohet, fillon mbushja e formularëve, andaj inspektorët sigurohen që të kuptojnë saktë se cilat derivate shiten në këtë pompë.
“Kolegë me gaz a punoni këtu? Jo s’keni shitje të gazit, në rregull”.
Inspektorja e Tregut, Shkëndije Bajrami-Azizi, theksoi se çdo inspektim përfshinë edhe konstatimin e kuponëve fiskalë të ditës.
“Si inspektore e Tregut e kam për obligim me kërku licencën e cila është valide për shitjet me pakicë, diesel dhe benzinë, kuponët fiskat me datë të sotit që e dëshmoj se sa është çmimi, e dëshmoj këtu”, ka shtuar Bajrami-Azizi.
Ndërkohë, inspektorët e Tregut kanë kërkesa të tjera nga menaxhmenti i pikës.
“Fillimisht kemi me i kërku X raportin prej palës, pastaj dy kupona fiskal të naftës dhe benzinës, këtë rast nuk shet gaz, dhe më pas blerjet prej datës 5 deri më sot, me shumicë dhe pakicë e poashtu edhe shitjet cka ka ndodh deri sot”, ka thënë inspektori Tatimor, Kemajl Ismaili.
Në rast të parregullsisë pasojnë ndëshkimet.
“Në proces e sipër, pasi t’i kompletojmë dokumentet e kërkuara, ne e shohim marzhën, sa ka shku me marzhë, nëse ka parregullsi shkojnë edhe ndëshkimet administrative”, ka shtuar Ismaili.
Pasi përfundohet puna në terren, lënda mbetet në procedurë deri në pranimin e raportit të ATK-së.
“Këtyre u duhet disa ditë për konstatimin e gjendjes që e kemi kërku, në momentin që ne e pranojmë raportin nga ATK në rast se ka shkelje, atëherë Inspektorati Tregut inicion procedurë për kundërvajtje”, ka thënë Bajrami-Azizi.
Për 7 prillin, MINT vendosi çmimet maksimale nafta 1.88 euro për litër, benzina 1.46 euro për litër dhe gazi 0.74 euro, që për naftë ishte 2 cent më e lartë se dje.