Isa Mustafa paralajmëron krizë nëse pushteti merr edhe presidentin

Gjatë ditës së djeshme janë riaktivizuar diskutimet politike lidhur me zgjedhjen e presidentit të vendit, në një kohë kur ende mungon një konsensus ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Lidhur me këtë çështje ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, fillimisht ka sqaruar se cilat opsione nuk i konsideron si zgjidhje të pranueshme për situatën aktuale.

“Së pari po shprehem se çfarë nuk është zgjidhje. Zgjidhje nuk do të ishte që VV-ja, duke e pasur shumicën në kuvend, kryeparlamentarin dhe Qeverinë, të ketë edhe presidentin. Kështu do të ktheheshim në një shtet njëpartiak”, ka thënë ai në një bisedë për IndeksOnline.

Ai paralajmëron për rrezikun e përqendrimit të pushtetit në një subjekt të vetëm politik, duke e parë këtë si cenim të balancës demokratike.

Mustafa thekson se zgjidhja duhet të vijë përmes bashkëpunimit ndërmjet pozitës dhe opozitës, duke përfshirë edhe mundësinë e një kandidature jashtë shumicës:

“Do të ishte zgjidhje që partia që ka shumicën të tregojë vullnet për një president nga opozita ose për një personalitet për të cilin pajtohen pozita dhe opozita”, vlerësoi ai.

Sipas tij, një qasje e tillë do të ndihmonte në ruajtjen e balancave institucionale dhe politike në vend.

Duke folur për karakteristikat që duhet të ketë një kandidat i mundshëm, Mustafa pranon vështirësinë e arritjes së një figure ideale, por nënvizon disa parime bazë.

“Këtë figurë është vështirë ta gdhendim si skulptor, por të pajtohemi se nuk ka të përkryer. Të jetë një njeri që siguron balancë të brendshme, mbrojtje të kushtetutës dhe përfaqësim jashtë në interes të vendit”, tha Mustafa në një prononcim për IndeksOnlinen.

Në mungesë të vullnetit politik për kompromis, Mustafa sugjeron që vendi mund të përballet me zgjedhje të reja.

“Nëse nuk gjendet ky vullnet, do të ishte më mirë të përfundohet ky cikël i amullisë dhe të shkohet në zgjedhje”.

Në fund, ai e vendos situatën politike edhe në një kontekst më të gjerë global, duke theksuar mungesën e orientimit strategjik.

“Ndryshimet gjeopolitike dhe ato gjeoekonomike kërkojnë nga çdo vend t’i definojë interesat e veta. Duket se ne nuk jemi në këtë rrugë!”.

Me aktgjykimin e shpallur nga Kushtetuesja, më 25 mars u përcaktua afati prej 34 ditësh për zgjedhjen e presidentit, konkretisht deri më 28 prill.

Nëse presidenti nuk arrin të zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.