Media britanike: Shqipëria, vendi evropian më i mirë se Maldivet
Një eksperte turizmi ka zbuluar një destinacion të ri turistik, jo shumë larg Britanisë së Madhe, i cili është i përballueshëm, nuk kërkon të bëni një udhëtim të gjatë, por që ofron përvoja të paharrueshme, shkruan Grace Piercy në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”.
Turistët britanikë – të cilët janë në kërkim të alternativave që ofrojnë pushime verore me buxhet të kufizuar – po heqin dorë nga destinacionet e shtrenjta dhe po zgjedhin vendpushime më të përballueshme.
Helen Rolph, një eksperte e udhëtimit në “Quotezone”, ka zbuluar një vend më afër se Maldivet – që ofron përvoja të paharrueshme – me çmime të arsyeshme dhe pa qenë nevoja të bëni një udhëtim të gjatë.
Kjo vjen pasi çmimet e fluturimeve u rritën me 30,2% verën e kaluar, duke e bërë udhëtimin ndërkontinental të papërballueshëm për shumë turistë.
Ujërat bruz dhe plazhet me rërë të Shqipërisë përgjatë bregdetit Jon ofrojnë një arratisje luksoze dhe relaksuese të ngjashme me Maldivet – por udhëtimi në vendin e bukur mesdhetar zgjat vetëm disa orë.
Riviera jugore, në veçanti ofron një det të pastër dhe peizazhe të mrekullueshme – që e bëjnë atë një alternativë ideale – pa qenë nevoja pë të kryer fluturime të gjata.
Fluturimi drejt Shqipërisë zgjat më pak se tre orë nga Londra, krahasuar me udhëtimin në Maldive – që shkon deri në 12 orë.
Biletat vajtje-ardhje për në Maldive zakonisht variojnë nga 600 deri në 1200 paund, ndërsa ato për në Shqipëri janë mes 100 dhe 130 paund.
Shqipëria po tërheq turistë nga e gjithë bota falë peizazheve të saj mahnitëse.
Qoftë duke bërë ecje në shtigjet e njohura në verë apo duke ekploruar Alpet në dimër, Shqipëria është një alternativë spektakolare për adhuruesit e natyrës, duke ofruar një ndjenjë aventure pa kryer një udhëtim të gjatë.
Ndërkohë, Riviera Shqiptare ofron një verë të nxehtë dhe peizazhe mbresëlënëse, duke e bërë atë ideale për një përvojë të stilit “Karaibe” dhe për pushime të qeta vetëm disa orë larg.
Këtu mund të shijoni vendpushime mahnitëse – që të çojnë drejtpërdrejt në plazhe të pastra.
Me pasigurinë e udhëtimeve ndërkombëtare në këtë moment, eksplorimi i destinacioneve të bukura më afër Britanisë së Madhe mund të duket si një zgjedhje më e sigurt – veçanërisht për turistët që duan të mbrojnë financat e tyre përballë rrezikut të anulimeve të paparashikueshme.
Evropa ka shumë peizazhe të mrekullueshme me verë me diell, kulturë të pasur, histori dhe njerëz miqësorë – gjithçka për të cilën njerëzit zakonisht zgjedhin të udhëtojnë larg.
Fatmirësisht për turistët britanikë shumë nga këto vende janë vetëm disa orë larg. /Atsh