Thellohet ngërçi për presidentin, LDK-ja s’pranon kandidat të LVV-së e PDK-ja vendos kushte

Situata politike në vend mbetet e tensionuar, ndërsa përpjekjet për zgjedhjen e presidentit ende nuk kanë prodhuar marrëveshje mes partive kryesore.

Pas takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, të dyja palët janë shprehur me tone të ndryshme.

Kurti është shfaqur optimist për arritjen e një marrëveshjeje, duke deklaruar se “ka vullnet për të shmangur zgjedhjet dhe marrëveshja mund të ndodhë”.

Në anën tjetër, Abdixhiku ka ritheksuar qëndrimin e tij se “një parti s’mund t’i ketë tri pozitat kryesore”, duke lënë të kuptohet se pa marrëveshje vendi mund të shkojë në zgjedhje.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vendosur kushte për një takim me Kurtin, duke kërkuar formalizim të ftesës dhe seriozitet institucional.

Nga ana tjetër, Kurti ka kritikuar qasjen e PDK-së, duke vlerësuar se mungesa e emrave konkretë e bën të vështirë arritjen e një marrëveshjeje për presidentin. Ai ka theksuar se pa propozime konkrete, procesi mbetet i bllokuar.

Kritika ka pasur edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Kreu i saj, Ramush Haradinaj ka akuzuar Kurtin për mungesë prioriteti në këtë proces, duke deklaruar se “nuk e ka pasur prioritet zgjedhjen e presidentit, prandaj po përfundojmë në zgjedhje”.

Kosova ndodhet përballë një afati të kufizuar për zgjedhjen e presidentit dhe, në mungesë të një marrëveshjeje politike, rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja. /Telegrafi