“Për flokësh të qes jashtë”, arsimtarja përplaset me nxënësen në shkollën “Zenel Hajdini” në Ferizaj

Një përplasje verbale ka ndodhur pasditen e së premtes në shkollën “Zenel Hajdini” në Ferizaj, mes një mësimdhënëseje dhe një nxënëseje brenda klasës.

Në një videoincizim të siguruar nga Klankosova.tv dëgjohet arsimtarja duke i bërtitur nxënëses dhe duke i thënë se do ta nxjerrë jashtë klasës duke e kapur për flokësh.

“Leje, leje se kjo e ka punën… hajt shko në vend menjëherë… ti atje ke mujt me shku… e për mu një formulë s’je kanë në gjendje… flokët t’i nuki, për flokësh të qes jashtë, a po nin, a je tu ni, kujna i thu ti mos bërtit, kujna i thu ti mos bërtit, kujnaa, për flokësh”, dëgjohet arsimtarja duke i thënë me zë të lartë nxënëses.

Drejtori i kësaj shkolle, Abdullah Imeri, ka bërë të ditur se institucioni arsimor është në dijeni për rastin, por fillimisht është informuar zëvendësdrejtori, ndërkohë tek më sot edhe vetë ai.

“Sipas informatave që kam siguruar deri më tash, e vërteta është që një mësimdhënëse i ka folë, ndoshta pak me za të nalt, sepse sipas zëvendësdrejtorit dhe profesoreshës, që me këtë rast qenkan marrë të premten pasdite, nxënësja llogaritet në mesin e nxënësve të shkëlqyeshëm, por sipas profesoreshës kohëve të fundit e ka lëshuar krejt dhe atë ditë ajo i ka qitë nëntë të dobët dhe e ka qortu pse e ka lëshu mësimin, ku sipas mësimdhënëses ajo ka kapacitet më shumë e jo të bie në atë nivel që të marrë nota të dobëta. Sipas informatave tjera nga të tjerët, aty nuk ka pas kurrfarë dhune fizike e as prekje fizike, po nxënësja dhe familja e paskan konsideru si dhunë psikike dhe për atë janë ankuar. Edhe pse për këtë ka qenë dashtë me vijnë në drejtori ta përcjellin këtë shqetësim dhe unë do të isha marrë me të. Edhe sipas deklaratave të familjarëve, ata janë ankuar vetëm për ‘dhunë psikike’”, ka thënë Imeri në një përgjigje me shkrim.

I pyetur nga redaksia nëse rasti është trajtuar dhe nëse janë marrë masa për incidentin e ndodhur, ai ka deklaruar se mësimdhënësja pas kësaj e ka dërguar te zëvendësdrejtori dhe sipas tyre rasti është mbyllur.

“Pas kësaj e ka dërgu te zëvendësdrejtori dhe sipas tyre e kanë mbyllë rastin. Tash jemi ku jemi”, u shpreh ai.

Edhe pse rasti fillimisht është mbyllur, ai bëri të ditur se aktualisht nuk mund të merret me të për shkak të pushimeve pranverore. Megjithatë, shtoi se me rikthimin në procesin mësimor, çështja do të trajtohet sërish.