27 vjet nga masakra e Rezallës, familjarët kërkojnë drejtësi
Sot u shënua 27-vjetori i Masakrës në Rezallë të Skenderajt, ku më 5 prill 1999 u vranë 98 civilë shqiptarë.
Në mesin e tyre janë edhe varret e familjarëve të Rexhep Gashit, babait dhe dy xhaxhallarëve të tij, që ia vranë forcat serbe gjatë luftës.
Më e rëndë se kjo për të mbetet mos gjetja e drejtësisë, e cila vazhdon t’ia rëndojë edhe më shumë shpirtin.
“Kërkoj që sa më shpejt autorët të dalin para drejtësisë, të dënohen dhe të marrin dënimin e merituar, sepse të gjithë këta kanë qenë civilë të pafajshëm. Në mesin e tyre ka pasur edhe fëmijë nga mosha 6 vjeç deri në 90 vjeç”, ka thënë Gashi.
Pas ekzekutimit, krimi vazhdoi edhe përmes zhdukjes së trupave të viktimave, në përpjekje për të fshehur gjurmët e masakrës dhe për të penguar zbardhjen e së vërtetës.
Në mesin e familjarëve që ende mbajnë mbi supe këtë dhimbje, është edhe Milazim Rukolli.
“Dhimbja është e madhe, por mirë që janë gjetur eshtrat, sepse një herë i kishin dërguar në Rudnicë, ndërsa tani, edhe pse ndryshe, e ndjejmë më afër dhe e dimë ku ndodhen eshtrat”, ka thënë Rukolli.
E angazhim për drejtësi premtoi ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu gjatë homazheve në Rezallë.
“Si institucione të Republikës së Kosovës do të angazhohemi që të ketë drejtësi edhe për masakrën e Rezallës por edhe për të gjitha masakrat, vrasjet, dhunimet, shkatërrimet e dëbimet që Serbia i ka bërë në Kosovë. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit”, ka thënë Haxhiu.
Drejtësi kërkoi edhe i pari i Skenderajt, Sami Lushtaku.
“Qytetarët e jo veç të Drenicës po të Kosovës, e kanë përjetuar një diçka që vërtet ka qenë e rëndë për secilin prej neve, për secilin shqiptar që ndihet si shqiptar. Gjithë ato masakra, gjithë ato vrasje që kanë ndodhë në këtë vend. Vërtet presim më shumë, sidomos familjarët presin që institucionet e këtij vendi me bërë më shumë edhe për familjet, po edhe për vendin”, ka thënë Lushtaku.
Edhe përfaqësues të partive politike kanë përkujtuar viktimat, ku mbetën të vrarë afër 100 civilë shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth.
Ndërkaq, nga organizatat e dala nga lufta dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve u kërkua që të mos shtrembërohet dhe gjykohet historia dhe e vërteta e luftës./rtk