KEK-u njofton se për shkak të disa problemeve njësia A4 do të ndalet së operuari pas mesnatës

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) bën të ditur se njësia A4 në TC Kosova A pritet të ndalet në mënyrë të kontrolluar sonte rreth orës 00:00, pas paraqitjes së problemeve në kondensator.

Sipas KEK-ut, pas vlerësimeve profesionale, është konstatuar se vazhdimi i operimit në këto kushte mund të shkaktojë dëmtime më të mëdha.

“Për këtë arsye, ndalja është një masë e domosdoshme parandaluese, me qëllim të ruajtjes së integritetit të njësisë dhe evitimit të defekteve serioze. Të gjitha institucionet relevante janë njoftuar me kohë për këtë zhvillim”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Më tej thuhet se aktualisht, KEK është duke operuar me tri njësi gjeneruese: B2 në TC Kosova B si dhe A3 dhe A4 në TC Kosova A, duke siguruar vazhdimësinë e prodhimit sipas kapaciteteve në dispozicion.

Në të njëjtën kohë, KEK rikujton se është në një fazë të rëndësishme transformimi, me investime mbi 500 milionë euro për modernizimin dhe zgjatjen e jetës së njësive gjeneruese – investimet më të mëdha që nga fillimi i operimit të termocentraleve.

“Në kuadër të këtyre investimeve: Njësia B1 është në proces modernizimi (turbina dhe elektrofiltra); Njësia A5 ndodhet në remont kapital; ndërhyrje të tilla kërkojnë në raste të caktuara ndalje të përkohshme, si pjesë e një procesi të domosdoshëm për përmirësim afatgjatë”, njofton kjo korporatë.

Në fund, thuhet se KEK mbetet i përkushtuar për furnizim të qëndrueshëm me energji, duke ndërmarrë njëkohësisht investime strategjike që garantojnë siguri dhe efikasitet më të lartë për të ardhmen energjetike të vendit.