Arrestohet 44-vjeçari shqiptar në Itali, i gjenden 7 kg kokainë në makinë

Një sasi prej shtatë kilogramësh kokainë e pastër është sekuestruar nga policia në Treviso, gjatë një kontrolli rutinë në zonën e San Trovaso, në komunën e Preganziol.

Në pranga ka përfunduar një shtetas shqiptar 44-vjeçar, i cili rezultonte i parregullt në territor dhe pa vendbanim të përhershëm, i akuzuar për posedim droge me qëllim shpërndarjeje.

Sipas autoriteteve, arrestimi nuk erdhi pas një hetimi të gjatë, por falë dyshimeve të ngritura nga sjellja nervoze e drejtuesit të automjetit gjatë ndalimit.

Përgjigjet kontradiktore i shtynë efektivët të kontrollonin më thellë makinën, ku zbuluan një çantë të errët të vendosur mes sediljeve. Brenda saj ndodheshin 14 pako nga gjysmë kilogrami secila, të mbushura me kokainë të cilësisë së lartë, shkruan vizionplus.tv.

Testet e kryera në komisariat konfirmuan menjëherë se bëhej fjalë për lëndë narkotike, e destinuar për tregun lokal, veçanërisht për fundjavën. Sipas hetuesve, pas përpunimit dhe shitjes me pakicë, kjo sasi do të gjeneronte qindra mijëra euro fitime.

Policia sekuestroi gjithashtu telefonin celular të të arrestuarit, i cili pritet të ndihmojë në identifikimin e rrjetit të furnizimit dhe shpërndarjes. Ky operacion konsiderohet si një nga goditjet më të mëdha të viteve të fundit në zonë, duke tejkaluar edhe operacionin e mëparshëm “Focus 23”.