Ligji për çmimet tavan vlen kur ka mungesë të produkteve

Shtrenjtimi i shpejtë i derivateve veçanërisht naftës, vlerësohet se nxiti edhe shtrenjtim tek të gjitha produktet e tjera nëpër tregjet e Kosovës. Kjo për shkak të siç thuhet shtrenjtimit të transportit, por edhe prodhimit.

Çmimi për një litër naftë në Kosovë të premten gjatë ditës arriti në 1 euro e 83 centë, nga rreth 1 euro e 15 centë sa ishte para nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme.

Edhe pse gjatë ditës u raportua se nëpër pika të caktuara të derivateve çmimi për një litër naftë ka shkuar mbi 2 euro. Për situatën e krijuar, qytetarët kërkojnë lëvizje nga autoritetet.

“Janë shtrenjtu krejt, veç kqyre çmimin e naftës sa ka hypë e krejt tjerat qeveria veç po kqyrë kurfar lëvizje nuk bon…”, tha një qytetar.

“Unë shkoj shpesh në Gjermani, çmimet janë të njëjta…”, u shpreh një qytetar tjetër.

Për tejkalimin e krizës me çmimet e larta, heqja e TVSH-së dhe Akcizës mbi produktet e naftës shihet si hap i nevojshëm. Megjithatë, qeveria e refuzoi me arsyetimin se buxheti i shtetit do të humbasë miliona euro. Qeveria bëri të ditur se do të vazhdojë me caktimin e marzhës së fitimit. Ndërkohë, një masë të ngjashme tregtarët pritet ta kenë edhe për produktet e tjera, pasi që qeveria miratoi projekt ligjin për çmimet tavan.

Ndonëse ky projekt ligj pritet të kalojë në Kuvend për miratim në mënyrë që të bëhet ligj, kryetari i Aleancës së Bizneseve Agim Shahini, ngre dilemat e tij lidhur me efikasitetin e tij.

“Ne nuk jemi një shtet prodhues, ne jemi shtet që blejmë ne importojmë produkte nuk përcaktojmë çmime, ne jemi ndërmjetësues çmimet na përcaktojnë prodhuesit megjithatë mbetet të shihet se si dhe çfarë përmbanë ky ligj.”, tha Shahini.

Gjykata Kushtetuese në vitin 2023 kishte rrëzuar ligjin për çmimin tavan me arsyetimin se cenon parimet e ekonomisë së tregut të lirë. Ndërkohë, projekt ligji i ri për çmimin tavan sipas ministrisë së tregtisë, ka për synim caktimin e një marzhe të fitimit sikurse që po bëhet aktualisht me shitjen e naftës.

Megjithatë, njohësi i çështjeve të ekonomisë Shkumbin Misini, vlerëson se ligji për çmimin tavan nuk do të frenojë inflacionin i cili do të bëhet edhe më i ashpër kur do të shtrenjtohet energjia elektrike.

“Në Kosovë dihet shkaktari i inflacionit që aktualisht është shtrenjtimi i naftës e më pas do të jetë edhe shtrenjtimi i energjisë elektrike. Çmimi tavan ka ndikim vetëm në rast të fakeqësive dhe kur ta zëmë vajin e kanë vetëm ata 2-3 operator dhe nuk mund të hyjë më vaj në Kosovë ata rrezikojnë që të abuzojnë me çmimin e vajit në atë rast vlejnë ligji për çmimet tavan. Në rastin tonë vetëm sa rrezikon që kompanitë tregtarët të mos mbajnë ato produkte të cilat preken nga ky ligj.”, theksoi Misini.

Aktualisht shkalla e inflacionit në Kosovë ka arritur në 6%. Ndërkohë njohës të çështjeve të ekonomisë kanë ngritur alarmin se shkalla e inflacionit do të marr hov edhe më të vrullshëm në periudhën e fund vitit pasi që siç thonë vetëm në atë kohë do të vërehet shtrenjtimi i energjisë elektrike që pritet të ndodhë në muajin maj. /RTV21