Kurti priti në takim presidentin e fondacionit Renovabis
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim presidentin e fondacionit Renovabis, Thomas Schwartz, i cili ishte i shoqëruar nga ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.
Kryeministri Kurti e falënderoi Schwartzin për vizitën dhe kontributin, duke përmendur disa prej projekteve për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, në të cilat ka investuar fondacioni Renovabis.
Ky fondacion i Kishës Katolike Gjermane, i dedikuar për Evropën Qendrore dhe Lindore, i cili është aktiv në 29 shtete, është i pranishëm në Kosovë dhe projektet e tij janë të përqendruara në edukim, trajnime profesionale si dhe në mbështetjen e komuniteteve të margjinalizuara, me theks komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
"Të dy biseduan për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit, si dhe avokimin e fondacionit për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, me theks Kosovës. Me këtë rast kryeministri Kurti e uroi atë dhe besimtarët katolikë për festën e Pashkëve", thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.