Vdekje e dyshimtë në Prizren, 53-vjeçari gjendet pa shenja jete
Një 53-vjeçar është gjetur pa shenja jete mëngjesin e sotëm në Prizren, duke ngritur dyshime për rrethanat e vdekjes së tij.
Rasti është raportuar rreth orës 07:25 në rrugën “Enver Buqa”, në lagjen Arbana, ku sipas Policisë së Kosovës, viktima është gjetur nga një fqinj.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një mashkull rreth 53-vjeçar, i cili jetonte me nënën e tij.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet emergjente që kanë konstatuar vdekjen, ndërsa policia ka siguruar zonën dhe më pas hetuesit rajonalë kanë nisur ekzaminimet.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti është hapur si “Hetim i vdekjes”, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij rasti. /Zëri