AGK-ja reagon ashpër ndaj avokatit Besnik Berisha për pengim të gazetarëve në seancë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar përmes një njoftimi, pasi ekipi monitorues i “Betimi për Drejtësi” është penguar në kryerjen e detyrës së tij gjatë një seance gjyqësore nga avokati Besnik Berisha, njëherësh kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës.
Sipas raportimit të mediumit “Betimi për Drejtësi”, Berisha ka larguar dhe ndalur diktafonin e monitoruesve gjatë pauzës së një seance gjyqësore, ku ai paraqitet në cilësinë e mbrojtësit të një të akuzuari, raporton Zeri.info.
AGK-ja e ka dënuar fuqishëm këtë rast, duke e cilësuar si të paprecedent dhe të papranueshëm pengimin e punës së mediave nga një avokat gjatë një seance publike.
Sipas AGK-së, vetëm trupi gjykues ka të drejtë të vendosë lidhur me praninë dhe incizimin nga mediat në sallë.
Po ashtu AGK-ja i bën thirrje avokatit Berisha që të respektojë punën e gazetarëve dhe monitoruesve që raportojnë për çështje me interes publik.
AGK-ja u bën thirrje edhe gjykatësve që gjatë seancave publike të sigurojnë që puna e gazetarëve të jetë e lirë dhe e papenguar nga asnjë palë. /Zëri