Haradinaj ngushëllon për vdekjen e Dom Kelmendit: Shembull i një kleriku që i shërbeu Zotit dhe kombit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka ngushëlluar familjen dhe miqtë e Dom Kelmend Spaqit, i cili vdiq këtë të enjte.

Haradinaj tha se Dom Kelmendi i shërbeu me përkushtim misionit të tij fetar, duke qenë pranë besimtarëve në ditë të vështira e në kohë shprese.

“Me keqardhje të thellë mora lajmin për shkuarjen në amshim të tij. Përtej misionit fisnik, veprimtaria e Dom Kelmendit mbetet shembull i një kleriku që i shërbeu njëkohësisht Zotit dhe kombit, duke e vendosur mbi të gjitha dashurinë për atdheun”.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjes, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan DomKelmend Spaqin. Kujtimi për të do të mbetet i përhershëm. U prehtë në paqe”, shkroi Haradinaj.

I lindur në Velezhë, dekadën e fundit raportohet se Dom Kelmendi ka shërbyer në famullinë e Tivarit, bashkëpunëtor i Arqipeshkvit të Tivarit, Mons Rrok Gjonlleshaj.

Kisha Katolike “Lindja e Zojës”, shkroi se Dom Kelmendi i shërbeu Kishës dhe besimtarëve me përkushtim, përvujtëri dhe dashuri të madhe për Zotin dhe për popullin e Tij. Jeta dhe veprimtaria e tij meshtarake mbeten një dëshmi e gjallë e besimit, sakrificës dhe shërbimit të palodhur në udhën e Ungjillit.

“Ai ishte një bari i mirë, gjithmonë pranë besimtarëve në gëzim dhe në vështirësi, duke sjellë shpresë, paqe dhe udhëzim shpirtëror për të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe ta dëgjojnë”.

“Në këto momente zie, bashkohemi në lutje për shpirtin e tij, duke kërkuar nga Zoti që ta pranojë në Mbretërinë e Qiellit dhe ta shpërblejë për gjithë të mirat që bëri gjatë jetës së tij tokësore. Ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, bashkëpunëtorëve dhe gjithë bashkësisë së besimtarëve që ndjejnë këtë humbje të madhe”, u tha në shkrimin e Kishës Katolike “Lindja e Zojës” në Facebook.

Varrimi i të ndjerit u tha se bëhet të hënën, në ora 11:00, në Velezhë të Prizrenit.