Nagavci i përgjigjet Çitakut: Kjo rezolutë do duhej të reflektonte unitetin politik dhe ndërpartiak

Deputetja e Partia Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kërkuar që draft-rezoluta për mbrojtjen e viktimave të luftës së fundit në Kosovë të renditet si pika e parë në rendin e ditës dhe të votohet gjatë seancës plenare.

Lidhur me këtë çështje, shefja e grupit parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, se çështja është e rëndësishme për diskutim në Kuvend, por sipas saj, rezoluta duhet të reflektojë konsensus më të gjerë dhe jo të trajtohet vetëm si një deklarim formal politik.

“Pajtohemi se është një çështje që ia vlen të diskutohet në Kuvend, por po ashtu dhe për më shumë Kuvendi si institucioni më i lartë i vendit nuk mund të trajtohet si një institucion që vetëm miraton një rezolutë sa për të shprehur një deklarim politik. Duhet të sigurohemi që çështjet e rëndësishme të adresohen aty, dhe ne si grup parlamentar jemi të gatshëm dhe të interesuar që bashkë me përfaqësuesit e grupeve tjera parlamentare të ulemi dhe të diskutojmë një rezolutë përbashkuese në lidhje me këtë temë”, tha ajo.