LDK-ja kërkon debat parlamentar për çështjen e rritjes së çmimit të naftës
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka kërkuar debat parlamentar për të premten, më 03.04.2026, në lidhje me rritjen e çmimit të naftës.
Deputeti i kësaj partie, Besian Mustafa, në një konferencë për media, më 01.04.2026, e ka cilësuar si “fatkeqësi” që pikat urgjente të propozuara nga ai, nuk u shtuan në rend dite në Komisionin për Buxhet. Pikë tjetër, pos asaj të rritjes së çmimit të derivateve të naftës ishte edhe energjia elektrike.
“Në rrjedhë dhe në vazhdimësi të kësaj, deputetët e LDK-së kemi kërkuar që këtë të premte të mbahet një seancë e jashtëzakonshme ku do të diskutojmë saktësisht për këtë temë. Shpresojmë se do të kemi prezentë edhe përfaqësuesit e Qeverisë për të diskutuar saktësisht se çfarë po bën Qeveria e Kosovës për të mbrojtur dhe përkrahur qytetarët nga rritja e çmimeve” – tha Mustafa.
Ai tha se ministri i Financave, Hekuran Murati, do duhej të raportonte në komisionin parlamentar edhe rreth çështjes: pse punëtorët e RTK-së nuk e kanë pranuar pagën e 13-të?.
Edhe deputeti dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook, tha se çmimet e derivateve janë rritur me rreth 40 % krahasuar me datën 28 shkurt 2026, kur nisën sulmet. Rrjedhimisht, sipas tij, janë rritur kostot e prodhimit dhe operimit të bizneseve, të cilat po barten te çmimet e produkteve të konsumit dhe produkteve të ndërmjetme.
Hoti tha se për t’u përballur me këtë krizë, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë vetëm një masë: ka përcaktuar marzhet e fitimit për bizneset që merren me derivate.
“Gama e gjerë e masave të nevojshme në raste të tilla nuk është shqyrtuar fare nga Qeveria. Kjo qasje është e çuditshme, kur kihet parasysh rritja e deritanishme prej 40 për qind e çmimit të derivateve” – tha ai.
Sipas tij, kjo masë e Qeverisë nuk është adekuate për dy arsye.
E para, sipas Hotit, caktimi i marzhës së fitimit e mban fitimin e biznesit brenda një kufiri të caktuar, por u mundëson bizneseve që çdo rritje e çmimit në tregjet ndërkombëtare ta bartin plotësisht te konsumatori.
“Me këtë masë, bizneset nuk kanë asnjë nxitje të ulin shpenzimet. Kështu që, konsumatori jo vetëm që nuk mbrohet, por e paguan plotësisht rritjen e çmimit të derivateve” – ka shkruar ai.
E dyta, Hoti thotë se përvoja dëshmon se intervenimet e tilla, në dukje tërheqëse për qytetarin, e përkeqësojnë situatën.
“Këto lloj intervenimesh bëjnë që, në pamundësi të operimit brenda marzheve të fitimit të përcaktuara nga Qeveria, disa biznese të dalin nga tregu. Rrjedhimisht, konkurrenca dëmtohet pasi tregu koncentrohet në pak biznese” – ka shtuar Hoti.
Më 04.03.2026, ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari, kishte njoftuar se ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të derivateve si pasojë e zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.