Prokuroria kërkon dënim për tentim-vrasje ndaj ish-bashkëjetueses, mbrojtja pretendon veprim në afekt mendor

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën u dha fjala përfundimtare në gjykimin ku Idriz Alija po akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë ndaj gruas me të cilën bashkëjetoi Sh.T. Prokuroria tha se është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale që i vihet në barrë, kurse mbrojtja tha se Alija duhet të shpallet fajtor për “Lëndim të rëndë trupor” të kryer në gjendje të afektit mendor.

Në këtë rast, Idriz Alija akuzohet për tentim vrasje të rëndë ndaj Sh.T., me të cilën kishte bashkëjetuar. Po ashtu, akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe mospërfillje të gjykatës.

Fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim prokurorja Fatmire Cacaj, dhe e elaboroi shkurtimisht para trupit gjykues.

Prokurorja Cacaj theksoi se qëndron në tërësi pranë aktakuzës, duke theksuar se veprimet e të akuzuarit manifestojnë dashjen direkte për privimin nga jeta të anëtarit të familjes- në këtë rast ish-gruas së tij, duke traumatizuar edhe fëmijën.

Prokurorja tha se në këtë shqyrtim gjyqësor ka dëshmuar edhe e dëmtuara në përputhshmëri me provat e tjera.

Në fund, Cacaj tha se vlerëson që në të gjitha provat personale dhe materiale vërtetohet përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari ka kryer veprën penale që akuzohet dhe nuk ka rrethana që e përjashtojnë nga përgjegjësia penale, duke propozuar që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe t’i shqiptojë dënim sipas ligjit.

Fjalën e prokurores Cacaj e ka mbështetur edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar Sh.T., avokati Arbër Guta, i cili propozoi që i akuzuari të shpallet fajtor dhe me rastin e matjes së lartësisë së dënimit të merren parasysh rrethanat rënduese.

E dëmtuara Sh.T., deklaroi se e mbështetë deklarimin e avokatit, duke theksuar se këtë çështje ia ka lënë institucioneve.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Alija, avokati Haxhi Millaku fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim, ndërsa në elaborimin e saj deklaroi se në këtë rast i mbrojturi i tij duhet të shpallet fajtor për “Lëndim të rëndë trupor”, të kryer në gjendje të afektit mendor. Tha se i mbrojturi i tij duhet të dënohet me gjobë.

Sipas Millakut, i akuzuari Alija ka pasur afekt mendor të shkallës së lartë duke mos ditur se çfarë ka bërë në ditën kritike.

Në fund, kryetarja e trupit gjykues Medie Bytyqi, e shpalli të mbyllur shqyrtimin gjyqësor, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e caktoi për një datë tjetër.

Në dispozitivin e parë të aktakuzës, thuhet se më 6 gusht 2024, rreth orës 7:33 minuta, i pandehuri Idriz Alija në rrugën e “Pejës”, afër semaforëve në fshatin Bresje të Fushë-Kosovës, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake dhe raportimit të dy rasteve tjera të dhunës në familje, me qëllim tenton ta privojë nga jeta anëtarin e familjes, të dëmtuarën Sh.T., me të cilën ka bashkëjetuar. Përderisa e dëmtuara ishte me djalin e saj E.T., duke ecur në rrugë, i ka përcjellë nga mbrapa.

Aty thuhet se posa të dëmtuarit kalojnë vendkalimin për këmbësorë, i pandehuri përshpejton hapat, e nxjerr armën nga brezi, me dy duart e repetit, vrapon pas tyre nga mbrapa, në mënyrë dinake nga afërsia shkrep me armë zjarri në trupin e të dëmtuarës, pastaj e godet me duar në fytyrë e cila rrëzohet në tokë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se pas këtij veprimi të të akuzuarit, djali i të dëmtuarës, i mitur E.T, tenton ta largojë nga ajo, derisa i pandehuri sërish shkrep disa herë mbi trupin e të dëmtuarës, e mandej e godet me forcë të madhe rreth tetë ose nëntë herë në kokë me kondak të armës së zjarrit, derisa dy qytetarë të rastit me forcë arrijnë t’ia largojnë armën e zjarrit, duke e hedhur atë në trotuar dhe e shtrijnë për toke, ku më pas të njëjtin policia e arreston.

Si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurit, thuhet se të dëmtuarës i shkaktohen tri plagë hyrëse-tejshkuese nga arma e zjarrit, ku si dëshmi posedon raportet mjekësore dhe e njëjta është hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, me ç’rast sipas ekspertizës mjeko-ligjore, ajo ka pësuar dëmtime të rënda trupore dhe të rrezikshme për jetën.

Me këtë, i pandehuri Alija po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë’ nga neni 173, paragrafi 1, pikat 1.3 dhe 1.5 lidhur me nenin 28, i Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në dispozitivin e dytë të saj, me datë, kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë, i pandehuri ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët një pistoletë të tipit “Cervena Zastava” M-57, me të cilën ka shkrepur në trupin e të dëmtuarës disa herë, 3 nga gëzhojat e së cilës armë janë gjetur në vendin e ngjarjes si dhe një predhë, kurse armën e ka marrë një person i cili largohet nga vend i ngjarjes, ndërkaq Policia pas veprimeve hetimore më pas e ka gjetur armën dhe ka identifikuar personin nga i cili sekuestrohet arma e zjarrit. Gjithashtu, edhe ndaj këtij personi u iniciua procedurë penale.

Me këtë, i pandehuri Idriz Alija akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronës, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, i pandehuri Alija ngarkohet se nuk i është bindur aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega Fushë-Kosovë, Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal, përmes të cilit e kishte të ndaluar t’i afrohej të dëmtuarës-bashkëjetuese të tij, 20 metra në vende publike dhe 100 metra nga vendqëndrimi i tyre aktual.

Për këtë veprim, i pandehuri Alija po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës” nga neni 393, paragrafi 1 i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi