Mjeku jep detaje lidhur me kontratat për shërbime në KRU “Prishtina”
Rreth 100 kontrata për shërbime me KRU “Prishtina” po nënshkruhen në një ditë.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e kësaj kompanie, Arjeta Mjeku, në një intervistë në emisionin “Fol me Arin”.
Ajo tha se në qoftë se konsumatorët nuk i nënshkruajnë këto kontrata, do të mbesin pa shërbime të KRU “Prishtina”.
“Ne kemi filluar me shpërndarjen e kontratave për shërbime, por ka edhe një numër të konsiderueshëm të konsumatorëve që po drejtohen në pikat e shitjes të KRU ‘Prishtina’ dhe do të shkojnë deri në konsumatorin e fundit, sepse çdo konsumator që merr shërbime duhet të kenë kontratë”, u shpreh Mjeku.
“Brenda një dite po nënshkruhet afërsisht rreth 100 kontrata për shërbime me konsumatorë. Është numër i kënaqshëm, por duhet edhe më shumë të inkurajohen këta konsumatorë, sepse nëse nuk nënshkruhen këto kontrata do të ofrohet një afat 10-ditor dhe do të shkyçen shërbimet”, tha ajo në Klan Kosova.