Kurti takohet me Ekipin e OKB-së në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti zhvilloi një takim me Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), i udhëhequr nga koordinatori për Zhvillim i OKB-së, Stephen O’Malley.

Sipas njoftimit nga Qeveria, në fokus të takimit ishte diskutimi mbi prioritetet e Planit Strategjik të UNKT 2026–2030, si dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe OKB-së. Të dyja palët riafirmuan përkushtimin e përbashkët për avancimin e prioriteteve zhvillimore të Kosovës dhe zbatimin e Agjendës 2030.

Kurti theksoi rëndësinë që prioritetet e Planit Strategjik të UNKT të jenë në përputhje me agjendën kombëtare të zhvillimit dhe mirëpriti vazhdimësinë e angazhimeve të OKB-së në vend.

Gjatë prezantimit të prioriteteve për vitin 2026, UNKT riafirmoi gatishmërinë për të mbështetur Qeverinë si në zbatim, ashtu edhe në aspektin normativ, duke u kushtuar vëmendje të veçantë fushave ku agjencitë e OKB-së mund të kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e reformave.

Kryeministri Kurti theksoi gjithashtu përkushtimin e Kosovës ndaj bashkëpunimit me OKB-në, duke vënë në dukje se Qeveria ka kontribuuar edhe përmes bashkëfinancimit të programeve të OKB-së në vend.

Të dyja palët ranë dakord për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë dhe për forcimin e mëtejshëm të mekanizmave të koordinimit. /Zëri