Mediat turke ankohen se tifozët kosovarë kanë ndezur fishekzjarrë pranë hotelit të Kombëtares së Turqisë

Mediumet turke raportojnë se në prag të ndeshjes së rëndësishme mes Kosovës dhe Turqisë, mbrëmjen para takimit ka pasur tensione jashtë hotelit ku po qëndron skuadra.

Sipas raportimeve të publikuara nga Son Dakika, tifozë kosovarë kanë ndezur fishekzjarrë pranë hotelit ku është akomoduar Kombëtarja turke.

Ky medium është ankuar se tifozët kanë shkaktuar zhurmë gjatë orëve të natës, duke e interpretuar si një tentim për t’ua prishur qetësinë lojtarëve para ndeshjes.

Në këto raportime theksohet se ngjarja ka rritur edhe më shumë tensionin para përballjes së shumëpritur, e cila tashmë është konsideruar me atmosferë të nxehtë dhe me interes të madh publik.

Po ashtu, mediumet turke shkruajnë se pritet rritje e masave të sigurisë, ndërsa ngjarja ka marrë jehonë edhe në rrjetet sociale.