Pas skadimit të mandatit të Osmanit, Albulena Haxhiu komandante supreme e FSK-së

Për pesë vjet me radhë në çdo ceremoni asaj iu rreshtua Forca e Sigurisë së Kosovës.

E para e shtetit dha edhe urdhrin për marshime e ceremoni shënuese të përvjetorëve.

Kjo pasi Vjosa Osmani, si presidente e vendit, është edhe komandante supreme e FSK-së.

Këtë kompetencë, që e ka të garantuar me Kushtetutën e Kosovës, ajo do të ushtrojë deri më 4 prill, datë kur mandatit të saj do t’i vijë fundi.

Rrjedhimisht, edhe kjo pozitë për pak ditë do të jetë me ushtrues detyre, pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar të Osmanit.

“Gjithë detyrat dhe përgjegjësitë kalojnë tek kryetari përkatësisht kryetarja e Kuvendit, si ushtruese e detyrës së presidentes së vendit, e cila edhe në referencë të Kushtetutës, por edhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka asnjë kufizim për sa i përket ushtrimit të këtyre detyrave dhe përgjegjësive”, tregon avokati Ardian Bajraktari.

Kështu që komandante supreme e FSK-së do të jetë kryekuvendarja, Albulena Haxhiu.

Si ushtruese e kësaj detyre, kompetencat e saj për këtë janë të plota, ani pse nuk ka mandat të plotë për këtë post.

“Ushtrimi i detyrës nënkupton kryerjen e detyrës, mirëpo nuk është me mandat të plotë, por është ushtrim i detyrës. Por sidoqoftë, të gjitha emergjencat sepse njëra prej detyrave të presidentit të vendit është edhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme sipas nevojave eventuale kur kemi situata të jashtëzakonshme. Edhe atë rast nuk mund të ketë selektivitet, pra të zgjedhësh këtë detyrë po, e atë detyrë jo. Çdo detyrë pra, e ushtron ushtruesi në këtë rast ushtruesja e detyrës së presidentes”, shprehet profesori universitar, Mazllum Baraliu.

Sipas Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj. /teve1