KRU “Prishtina”: Shembjen e dheut e shkaktuan punimet në terren, jo uji

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka reaguar sërish lidhur me shembjen e dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti” në kryeqytet. Në reagimin e saj, KRU “Prishtina” thekson se dëmtimi i raportuar pranë infrastrukturës së ujësjellësit nuk lidhet me rrjetin, por me punimet dhe ndërhyrjet në terren, të cilat kanë destabilizuar tokën dhe kanë shkaktuar rrëshqitje.

 KRU “Prishtina” therkson se po ndjek me vëmendje të shtuar situatën e krijuar pas shembjes së dheut dhe dëmtimit të raportuar në afërsi të infrastrukturës së ujësjellësit. Bazuar në vëzhgimet fillestare dhe pamjet e publikuara, vlerësohet se shkaktari nuk është rrjeti i ujësjellësit, por aktivitetet e gërmimeve dhe ndërhyrjeve në terren, të cilat kanë destabilizuar shtresat e tokës dhe kanë krijuar kushte për rrëshqitje.

Në reagim thuhet se si pasojë e këtij rrëshqitjeje, infrastruktura e ujësjellësit në zonë ka pësuar dëmtime.

KRU “Prishtina” ka aktivizuar ekipet profesionale dhe inxhinierët e specializuar për të kryer një analizë të detajuar të situatës në terren, përfshirë vlerësimin e gjendjes së tokës, ndikimin e punimeve të kryera dhe çdo ndikim të mundshëm në rrjetin e ujësjellësit.

Derisa të përfundojë ky proces dhe të publikohet raporti përfundimtar, KRU “Prishtina” rekomandon që të mos nxirren përfundime të parakohshme dhe të mos atribuohet përgjegjësia rrjetit të ujësjellësit pa bazë teknike.

Institucioni thekson 'përkushtimin për transparencë dhe do të informojë opinionin publik sapo të ketë rezultate të sakta dhe të verifikuara. Njëkohësisht, bëhet thirrje që të gjithë operatorët dhe palët që kryejnë punime në terren të respektojnë standardet teknike dhe procedurat e sigurisë, për të shmangur dëmtime të ngjashme dhe për të mbrojtur infrastrukturën publike'.