“Financim prej 12,800 euro”, Publikohet letra e INTEGRA’s drejtuar Haxhiut për ekspozitën për masakrat në Kosovë
Kërkesa drejtuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiut, për të zhvilluar ekspozitën për masakrat në Kosovë, e cila u kritikua për shkak të pasaktësive të saj, është dërguar nga organizata INTEGRA, e Kushtrim Koliqit, me 21 shkurt të këtij viti.
Në letrën e publikuar nga portali Magazina, bëhet e ditur se organizata i kërkon Haxhiut, ‘’mbështetje për një projekt me rëndësi të veçantë’’ për kujtesën kolektive.
Aty thuhet edhe se, qëllimi i ekspozitës, është që të ‘’ruaj kujtesën kolektive për viktimat civile të luftës’’, si dhe, shtohet në letër ‘’ të kontribuoj në ndërtim të një shoqërie më të vetëdijshme për të vërtetën e bazuar në hulumtim dhe evidencë’’.
Më tej, në letër po ashtu tregohet edhe për donatorët që kanë mbuluar shpenzimet e që janë, siç thuhet aty; Ambasada e Zvicrës në Kosovë, Rockfeller Brothers Fund, Community Development Fund, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, Cultural Heritage without Borders.
Megjithatë, përveç këtyre, INTEGRA, i është drejtuar Haxhiut, me kërkesë për mbështetje financiare në vlerë prej 12,800 euro.
Ndryshe, kjo ekspozitë e shfaqur në Prishtinë, ka marrë kritika të shumta për shkak të pasaktësive në të dhëna. Mes tjerash, aty është thënë se në masakrën e Dubravës janë vrarë 48 shqiptarë të armatosur. Për shkak të këtyre pasaktësive, kryetar i Prishtinës, Përparim Rama, ka pezulluar lejen e ekspozitës, duke bërë që sot ajo të ndërpritet. Lidhur me këtë rast, edhe Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se është aktivizuar duke deklaruar se ‘’është duke percjellë me vëmendje informacionet e publikuara’’.