Gashi me një sqarim pas vendimit të Ramës: U mbështetëm në librat e organizatës së Kandiqit

Shkëlzen Gashi, ka reaguar lidhur me ekspozitën për masakrat në Kosovë, duke thënë se për përpilimin e listës së të vrarëve, janë mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr nga Natasha Kandiqit.

‘’ Për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra, jemi mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr nga Nataša Kandië. Në libër e kemi sqaruar se në këtë listë të të vrarëve të HLC-së, për disa masakra individë të vrarë figurojnë të regjistruar si persona të armatosur, megjithëse në momentin e vrasjes ata ishin civilë të paarmatosur dhe nuk kishin rezistuar’’, thuhet mes tjerash nga organizatat.

Ndryshe, ekspozita në fjalë ka ngjallë reagime e kritika, për shkak se aty ndër tjerash, thuhet se në Masakrën e Dubravës, janë vrarë 48 shqiptarë të armatosur e 58 civilë të paarmatosur. Gjë e cila, është cilësuar si e pasaktë, edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një reagimi e cilësoi si ‘’të papranueshme dhe fyese’’, duke bërë të ditur se ka pezulluar lejen për ekspozitë.