Paratë e Planit të Rritjes, peng i reformave

Kosova ishe ndër vendet e para të Ballkanit Perëndimor që miratoi agjendën e reformave të kërkuara nga Plani i Rritjes i BE-së, i cili ishte miratuar nga Komisioni Evropian në tetor të 2024-s.

Megjithatë marrëveshjet u ratifikuan në Kuvend me shumë vonesa, për shkak të bllokadës politike të vitit 2025.

Tek në shkurt të këtij viti, pas konstituimit të legjislaturës së 10-të, u ratifikuan marrëveshjet me BE-në, ndërsa përgjatë kësaj faze do të duhej nisja e reformave të kërkuara për thithje të mbi 800 milionë eurove të ndara për Kosovën.

Tashmë në 33 ditët e mbetura, afat i vendosur nga Kushtetuesja, deputetët e kësaj legjislature, përveç përpjekjeve për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, do të duhej të shtynin përpara projektligjet që lidhen me marrëveshjet e ratifikuara, për nisjen e reformave të nevojshme që lirojnë paratë, të cilat vazhdojnë të mbeten peng i bllokadave politike.

 “Këto ligje munden brenda këtyre 33 ditëve të mbetura, të vijnë në komisione dhe të shkojnë në Kuvend... sepse janë një numë ri madh i ligjeve që lidhen me marrëveshjet ndërkombëtare etj...”, ka thënë Vigan Qorolli- nënkryetar i Komisionit për Legjislacion.

Kosova ka për detyrë të fillojë reformat në drejtësi, në administratë publike por edhe në fushën ekonomike, një pako që përfshin 33 reforma.

"E kemi si obligim që të hapim konkursin që të hapim konkursin për komisionin për ndihmë shtetërore, ku është një nga kërkesat që bie në fushëveprimtarinë e komisionit tonë, për pranimin e 5 anëtarëve, afati është deri në muajin e 6-të, dhe ne si kryetar të komisioneve që të fillojmë sa më shpejt”, ka thënë Enver Haliti- kryetar i Komisionit për Financa.

Javën e ardhshme në Kuvend pritet të dërgohen edhe 4 marrëveshje ndërkombëtare për miratim.

"Gjithashtu janë edhe 4 marrëveshje të tjera që kapin vlerën e 250 milionë eurove të cilat presim ti dërgojmë për miratim në Kuvend”, ka shtuar Haliti.

Përfaqësuesit e PDK-së, Blerta Deliu dhe Përparim Gruda, nuk kanë pranuar të prononcohen për këtë çështje, ndërkaq nga LDK-ja dhe AAK-ja asnjë nga anëtarët e këtij komisioni nuk u është përgjigjur thirrjeve të RTK-së.

Në Grupin për Studime Politike dhe Juridike thonë se është me rëndësi që Kuvendi të kryejë punën e vet legjislativ sidomos ato me karakter financiar.

“Disa nga reformat që janë paraparë në agjendën e reformave kanë karakter legjislativ, duhet të votohen si ligje në Kuvend, prandaj Kuvendi duhet ti votojë edhe ato në mënyrë që të përfitojë nga shtysat financiare të Planit të Rritjes dhe të mos humben afatet e raportimeve”, ka thënë Besar Gërgi- hulumtues në GLPS

Harmonizimi me legjislacionin e BE-së, mbetet një prej kushteve kryesore për alokim të mjeteve,ndërsa Kodi Civil, ai për institucionet mikrofinanciare dhe ato jobankare, tërësia e ligjeve për barrën financiare, pakoja e ligjeve për energjinë duke përfshirë edhe Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, mbetën në pakon e ligjeve e projektligjeve që duhet të miratohen e të plotësohen, nëse vendi synon të sigurojë grantin prej 253 milionë eurove dhe 629 milionë euro të tjera në formë të kredisë./rtk